Kom. i Helsinkit: Ka probleme me listat e zgjedhjeve

Në Shqipëri ka ende probleme me listat e zgjedhjeve. Ky ka qënë përfundimi unanim i dhënë nga Komiteti i Helsinkit, shpehur qartazi në një komunikatë për listat zgjedhore.
Në zbatim të nenit 54 të Kodit Zgjedhor, Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të), duhet të shpallin listat përfundimtare të zgjedhësve, pranë çdo qëndre votimi, jo më vonë se data 13 prill 2011.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nëpërmjet vëzhguesve të tij të akredituar, në datat 14-15 prill 2011 monitoroi shpalljen e listave përfundimtare, në rreth, në 710 qëndra votimi në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Kukes dhe Korçë.
Gjatë këtij vëzhgimi rezultoi se deri më 15 prill 2011, listat përfundimtare të zgjedhësve në rrethet Elbasan, Korçë, Vlorë, Kukes dhe Gjirokastër janë shpallur në të gjitha qëndrat e votimit të vëzhguara, ndërsa në disa qëndra te votimit të monitoruara të KZAZ-ve të rretheve Tiranë, Durrës, Fier, Shkodër ende nuk ishin shpallur listat përfundimtare.
Konkretisht kjo situatë u konstatua në 70 QV të Tiranës; në QV të Bashkisë Shijak, të rrethit Durrës; në komunën Pojan të rrethit të Fierit; dhe në komunën Bërdicë të rrethit Shkodër.
Më tej shprehet qartë se nga monitorimi rezultoi se shumica e qëndrave të votimit janë caktuar në ambjente publike por nuk mungojnë edhe raste të caktimit të tyre në ambjente private, kryesisht në lokale dhe bare të territorit, përgjithësisht me autorizim të KQZ-së. Në Shkodër, tre qëndra votimi janë vendosur në ambjente private, por siç u pretendua nga anëtarë të KZAZ-së, për to nuk është marrë autorizim nga KQZ-ja.
Vlen të përmëndet se në disa qëndra votimi, nuk është respektuar neni 54 paragrafi 2/a i Kodit Zgjedhor i cili përcakton se listat përfundimtare të zgjedhësve shpallen "…në një vend publik me hyrje të lirë…".
“Vëzhguesit na raportuan se në disa raste, listat përfundimtare të zgjedhësve janë vendosur në vende të vështira për t`u konsultuar nga zgjedhësit. Kështu ndodh që ato janë vendosur shumë lart për t`u parë me sy të lirë, ose janë vendosur brenda ambienteve publike, kryesisht arsimore, të cilat janë të mbyllura për një pjesë të ditës. Kjo u vu re sidomos në QV të rrethit të Tiranës, përkatësisht në KZAZ-të 53, 54, 56 dhe 55; në rrethin e Durrësit dhe në disa raste në rrethin e Fierit. Ndërkohë, në disa QV të tjera rezultuan se listat përfundimtare nuk janë vendosur në vende të mbrojtura dhe për këtë arsye një pjesë e tyre janë grisur ose dëmtuar. Një situatë e tillë u vunë re, sidomos në Tiranë, në KZAZ-të 51, 47, 53, 56, 49, 55, 46.
Vëzhguesit e KSHH-së kanë marrë kontakte me personat përgjegjës të KZAZ-ve të monitoruara për t`u përcjellë atyre gjetjet dhe konstatimet e sipërshënuara.
"KSHH i bën thirrje KZAZ-ve që të ndjekim vazhdimisht situatën dhe gjendjen e listave të zgjedhësve në QV përkatëse, sepse ky është një aspekt i rëndësishëm i punës së tyre, që ndikon direkt në ushtrimin e të drejtës së votës nga zgjedhësit" perfundon deklarata.