E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komandanti i Flotës Detare, Imami letër Topit

Arben Imami

TIRANE- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami i eshte pergjigjur me nje shkrese zyrtare letres se Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës, Aleksandër Flloko, duke sqaruar qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes përsa i përket emërimit të Komandantit të Forcës Detare.

Pergjigja e Imamit
Ne përgjigje të shkresës Tuaj nr. 790 datë 3.4.2012, me anën e së cilës kërkoni informacion mbi emërimin e Komandantit të Forcave Detare nga Ministri i Mbrojtjes dhe procedurën e ndjekur Ju sqarojmë se:

Urdhri nr. 94, datë 23.01.2012 i Ministrit të Mbrojtjes për emërimin e Komandantit të Forcave Detare, është revokuar. Bashkëlidhur gjeni edhe urdhrin përkatës.
Pas revokimit të urdhrit të emërimit të Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani, si Komandant i Forcave Detare, aktualisht Komanda e Forcave Detare do të drejtohet nga Zëvendëskomandanti i Forcave Detare.

Për nxjerrjen e urdhrit të emërimit, Ministria e Mbrojtjes është mbështetur në praktikën e deritanishme të ndjekur nga ana e dy institucioneve tona. Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1832 më 22.02.2005, propozoi emërimin e Komandantit të Forcës Detare, Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni. Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu me dekretin nr. 4494 më 28.02.2005, emëroi Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni, Komandant të Forcës Detare.

Në vijim, Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1711, datë 13.3.2008, propozoi emërimin e një prej tre kandidaturave kolonelë në detyrën e Komandantit të Forcës Ajrore. Nga ana Juaj nuk është proceduar për emërimin e një prej tre kandidaturave të propozuara.

Duke u nisur nga këto praktika dhe në zbatim të nenit 19, pika 13, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, Ministri i Mbrojtjes vendosi emërimin e Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani në detyrën e Komandantit të Forcave Detare.

Aktualisht mbështetur në nenin 21 të ligjit nr. 9171 datë 22.01.2004, Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, është ngritur Komisioni i Veçantë i Karrierës i cili po shqyrton oficerët për grada madhore. Në momentin më të parë pas përfundimit të procedurave të shqyrtimit nga ky Komision, do tiu përcillen kandidatët përkatës për gradim në gradën Kundëradmiral dhe emërimin në detyrë të Komandantit të Forcës Detare.

Ministria e Mbrojtjes po shqyrton përgjegjësitë administrative të personelit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›