Komandanti i Komandës Supreme të Aleancës për Evropën, Gjenerali Craddock: Shqipëria do të hyjë në NATO deri ne Samitin e ardhshëm, në pranverë 2009
Gjenerali Craddock: Ju keni përkrahjen tonë të plotë politike dhe në fushën e mbrojtjes
Kryeministri Berisha priti sot në takim Komandantin e Komandës Supreme të NATO-s për Europën, Gjeneralin John Craddock. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu atij mirënjohjen e thellë për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme që NATO, SHBA, Presidenti Bush dhe Pentagoni, si dhe vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë dhe po i japin Shqipërisë në projektin madhor të shqiptarëve për anëtarësim në NATO.
Komandanti i Komandës Supreme Craddock pasi e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, i theksoi atij, se Shqipëria do të hyjë në NATO deri ne Samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet në Strasburg dhe Kehl, në pranverën e vitit 2009.
Gjenerali Craddock shprehu vlerësimin më të lartë për progresin e arritur nga qeveria Shqiptare gjatë viteve të fundit. “Ju keni përkrahjen tonë të plotë politike dhe në fushën e mbrojtjes” i theksoi Gjenerali Craddock Kryeministrit Berisha.
Në vijim, Komandanti Craddock e falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse të NATO-s dhe SHBA, si dhe vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, në veçanti për transformimin e FA të Shqipërisë në një ushtri profesioniste, duke i cilësuar ato si mbresëlënëse. Në kuadrin bilateral, Komandanti Craddock i shprehu Kryeministrit gatishmërinë e SHBA dhe Pentagonit për të intensifikuar bashkëpunimin në veçanti për sa i përket trajnimit, ndihmës financiare si dhe bashkëpunimin në misionet e përbashkëta.
Më tej, Kryeministri Berisha i bëri me dije Komandantit Craddock reformat dhe rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe nga qeveria shqiptare duke u ndalur në veçanti në arritjet në fushën e mbrojtjes për një ushtri tërësisht profesioniste, të mirëtrajnuar dhe të pajisur me teknologji modernë të standardeve të NATO-s. Qeveria shqiptare e rriti buxhetin e mbrojtjes në 2% të GDP dhe do ta përkrah transformimin e forcave të armatosura shqiptare me të gjithë mundësitë financiare e të tjera – u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare të rrisë kontributin e saj në Afganistan si me trupa ashtu edhe me mbështetje financiare.
Të dy personalitetet diskutuan edhe për zhvillimet në rajon. Komandanti Craddock e falënderoi Kryeministrin për rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.
14/10/2008