E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti sot z. Majkëll Granof dhe Bordin Drejtues të Fondit shqiptaro-amerikan të Sipërmarrjes.

13 tetor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave dhe zhvilloi një takim të përzemërt e miqësor me Bordin Drejtues të Fondit shqiptaro-amerikan të Sipërmarrjes, të kryesuar nga z. Majkëll Granof.

Presidenti Topi, duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rolin vendimtar dhe mbështetjen institucionale të SHBA-së për zhvillimin e Shqipërisë në fusha të ndryshme, shprehu besimin se Fondi shqiptaro-amerikan do të kontribuojë më tej në nxitjen e projekteve amerikane për zhvillimin e biznesit të vogël e atë të mesëm në vendin tonë, duke vënë në pah sidomos veprën madhore të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, e cila do të lehtësojë jo vetëm lidhjet me Kosovën, por do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të mbarë rajonit ballkanik.

Kreu i shtetit, duke folur për reformat e ndërmarra deri më tani, shprehu vullnetin e pandryshueshëm të të gjitha autoriteteve e të popullit shqiptar për të vazhduar e thelluar reformat integruese për në NATO dhe nënvizoi bindjen se Shqipëria do të vazhdojë të punojë me vullnet e vendosmëri për të arritur rezultate të rëndësishme sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik, në mënyrë që të marrë vlerësimin e duhur për përpjekjet e saj, pikërisht integrimin në familjen europiane dhe atë euroatlantike.

Në emër të përfaqësuesve të Bordit Drejtues të Fondit, z. Granof u shpreh se jo vetëm ndihet krenar që është pjesë e miqësisë tradicionale historike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, porse do të vazhdojë të japë kontributin maksimal në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit në vend. Gjithashtu, z. Granof siguroi se Fondi që ai drejton do të vazhdojë të garantojë mbështetje të fuqishme në ecurinë e projekteve në ndihmë të biznesit dhe biznesmenëve shqiptarë, sistemit bankar në Shqipëri dhe se do të financojë edhe projekte të rëndësishme në arsim, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›