Komandanti njihet me ushtrinë

Presidenti Bamir Topi është njohur dje në mënyrë të detajuar për gjendjen e infrastrukturës së Ushtrisë Shqiptare, si dhe me disa prej vlerësimeve dhe rekomandimeve të bëra nga specialistët amerikanë. Specialistët amerikanë po bashkëpunojnë me Ministrinë e Mbrojtjes për shndërrimin e Ushtrisë Shqiptare në një Forcë të Armatosur profesioniste, sipas standardeve të kërkuara nga NATO-ja. Gjatë takimit të djeshëm, kreu i shtetit shqiptar shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha. Përfaqësues të ekipit amerikan në takim ishin Lui Boros, Majori Leri Herison dhe Gregori Kanata. Kreu i shtetit, Bamir Topi, i cili është njëkohësisht edhe komandanti i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, shprehu mirënjohjen për ndihmesën e konsiderueshme dhe profesionale të specialistëve amerikanë në drejtim të reformimit të Ushtrisë Shqiptare. Presidenti Topi theksoi se pas marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO, Forcat tona të Armatosura po punojnë edhe më të angazhuara për modernizimin e tyre, rritjen e kapaciteteve operative dhe vazhdimin e dhënies së kontributit në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.