Reformat të parat

“Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë sistemin e ri të zgjedhjeve, sepse zgjedhjet janë vitin tjetër dhe kjo është një gjë vërtet e madhe. Kjo mendoj se mjafton për momentin dhe kësaj pakete nuk duhen t’i shtohen çështje të rëndësishme e të vështira në të njëjtën kohë. Unë do ta këshilloja që kjo të mos ndodhte, pasi nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Pra, do të këshilloja që propozimet për çështjen e kompetencave dhe marrëdhënieve mes presidentit, kryeministrit apo kryetarit të Parlamentit, të cilat nuk kanë lidhje me sistemin zgjedhor, të ndahen, në mënyrë që të ketë mjaft kohë për t’i diskutuar dhe shqyrtuar më mirë këto propozime”, - përfundon Miklau. Misioni “EURALIUS” është institucioni përfaqësues i Bashkimit Evropian në Shqipëri lidhur me sistemin e drejtësisë shqiptare. Reagimi i Miklaut erdhi pas takimit të djeshëm të zyrtarëve të partive të vogla në selinë e Misionit Evropian për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (“EURALIUS”).
Takimi
Partitë e vogla, të majta e të djathta, u “ankuan” tek ndërkombëtarët lidhur me ndryshimet kushtetuese. Gjatë ditës së djeshme, rreth orës 11:00, përfaqësuesit e PR-së, LSI-së, PAD-së, PDK-së dhe PDS-së janë takuar me kreun e Misionit Evropian për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (“EURALIUS”), Roland Miklau, dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni. Burime brenda takimit bëjnë të ditur se përfaqësuesit e partive të vogla kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me propozimet e fundit për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Partia Demokratike. Sikurse mësohet nga të pranishmit në takim, propozimet e PD-së lidhur me kompetencat e presidentit dhe mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm janë konsideruar nga drejtuesit e “EURALIUS”-it si të papritura dhe kanë shprehur edhe shqetësim lidhur me ecurinë e shpejtuar të procedurave për këto propozime. Ndërsa për çështjen e Kodit Zgjedhor, sipas burimeve, përfaqësuesit e huaj kanë shprehur nevojën që të ketë një vendimmarrje më të gjerë dhe jo thjesht të dyja partive të mëdha. I kontaktuar nga “Korrieri”, kreu i PAD-së, i cili sipas këtyre burimeve është edhe iniciatori i takimit, thotë se bisedimet me krerët e “EURALIUS”-it janë përqendruar tek procedurat që po bëhen për kalimin e amendamenteve kushtetuese. “Në përgjithësi u përqendruam tek procedurat që po bëhen për kalimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat i quajtëm të nxituara dhe jashtë praktikave të mira. Çështje të tilla duhet të diskutohen njëherë në publik, të diskutohen nga specialistët, të kalohen në Komisionin e Venecias, të diskutohen me grupet e interesit dhe pastaj mund të kalojnë në Parlament dhe, normalisht, për çështje të tilla duhen të krijohen edhe komisione të posaçme në Parlament”, ka thënë Ceka. Sipas tij, tek “EURALIUS” partitë e vogla shprehin shqetësimet e tyre, pasi ndryshime të tilla prekin direkt sistemin gjyqësor për të cilin ky institucion po punon. “EURALIUS”-i mori shënim dhe shprehu shqetësimin për çështjet e prekjes që mund të kenë ndryshimet tek sistemi gjyqësor dhe veçanërisht në çështjet e balancave dhe kontrollit, “Check and balance”, deklaroi kreu aleancist, Neritan Ceka. Ai bën të ditur se partitë e vogla do të zhvillojnë edhe një takim tjetër me ambasadorin e Këshillit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan, dhe do t’i paraqesin shqetësimet e tyre. Ndërkohë, Ceka thotë se krerët e partive të vogla kanë firmosur një letër të përbashkët me shqetësimet e tyre, e cila do t’i dërgohet ambasadorit të KE-së dhe OSBE-së. Kreu i misionit “EURALIUS”, Roland Miklau, thotë se prej një jave nuk ka qenë në Shqipëri dhe ka pak kohë që është njohur me propozimet e fundit lidhur me ndryshimet kushtetuese.
Qëndrim kritik
“Nuk kam qenë në Shqipëri prej pothuajse një jave dhe kur erdha këtu, mësova për këto amendamentet e propozuara për ndryshimin e Kushtetutës nuk kanë të bëjnë me sistemin elektoral, por për çështje të tjera. U surprizova vërtet që amendamente aq të rëndësishme po paraqiten në Parlament pa një shtjellim më të gjerë. Së dyti, përfaqësuesit e partive të vogla gjatë takimit më paraqitën thelbin e këtyre amendamenteve. Unë u thashë atyre që e kuptoj shqetësimin e tyre, sepse këto amendamente kanë të bëjnë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vetë Parlamentin, Presidentin dhe Prokurorin e Përgjithshëm dhe është e nevojshme që të diskutohen gjerësisht përpara se të vendoset për to në Kuvend”, thotë Miklau ekskluzivisht për “Korrierin”. Burimet brenda takimit thanë se ky mision ka mbajtur një qëndrim kritik lidhur me propozimet e fundit për çështjen e presidentit dhe të kryeprokurorit, por kreu i “EURALIUS”-it e mohon këtë në mënyrë kategorike. “Jo. Ne nuk kemi mbajtur një qëndrim dhe as nuk kemi bërë ndonjë deklarim thelbësor. Por sikurse u thashë gjatë bisedës, kemi prekur paksa në bisedë çështjen e propozimit për Prokurorin e Përgjithshëm, e cila është edhe pjesë e sistemit gjyqësor dhe është më pranë me misionin tonë. Kemi mbajtur një qëndrim që mandati i kryeprokurorit mirë është të jetë më i shkurtër, sepse është një çështje që lidhet edhe me arsyen ose misionin tonë në vend. Por ne nuk mbajtëm asnjë qëndrim për çështjet e tjera, si për shembull atë të propozimit për presidentin dhe mënyrën e zgjedhjes së tij. Sigurisht që ishin përfaqësuesit e partive ata që folën dhe që e diskutuan çështjen e propozimit për presidentin dhe ata shprehën shqetësimet e tyre për këtë. Por “EURALIUS” nuk shprehu ndonjë qëndrim për këtë çështje, sepse nuk kemi pasur as kohën e mjaftueshme ta shqyrtojmë si propozim. Ne vetëm pardje e lexuam për herë të parë këtë propozim. Pra, nuk kemi pasur kohë as të diskutojmë me kolegët tanë për këtë çështje dhe nuk kemi mbajtur ndonjë qëndrim e as nuk kemi bërë ndonjë deklarim”, saktëson Miklau, ndërsa thekson faktin se çdo mendim i tyre është dhënë në aspektin profesional. Bëhet e ditur se në këtë tryezë kanë munguar përfaqësuesit e PBDNJ-së, PDR-së dhe PSD-së, kanë munguar për arsye të “mosnjoftimit të tyre dhe shpejtësisë me të cilën u realizua takimi”.
Pjesëmarrësit në tryezë
Neritan Ceka - Aleanca Demokratike
Petrit Gjoni - Partia Agraro-Ambientaliste
Artur Duçallari - Demokracia Sociale
Artur Hysenbelliu - Partia Republikane
Spartak Braho - Lëvizja Socialiste për Integrim
Ndue Shpani - Partia Demokristiane
Në takim nuk morën pjesë PSD, PDR dhe PBDNJ