Shtohet lista anti-Bollano

Ligjvënësit kanë reaguar ashpër ndaj incidentit të fundit të ndodhur në Himarë, ku janë hedhur parulla antishqiptare nga banorët lokalë, pas përplasjes me Policinë e Shtetit. Deputetja, njëherësh sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade dhe kryetari i Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, demokrati Preç Zogaj, u shprehën të indinjuar për ngjarjen e Himarës, që ndodhi në prag të vizitës që zëvendësministri i Jashtëm grek do të bënte në atë zonë. Për Daden, ky është një incident i përsëritur dhe shteti duhet të funksionojë, duke ushtruar të gjitha kompetencat, për të evituar këto situata. “Jam shumë e shqetësuar për përdorimin e termit “zonë minoritare”. Ka vite që Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian kërkon që në legjislacionin shqiptar të mos ketë terminologji “zonë minoritare” dhe praktikisht nuk kemi zona të mirëfillta minoritare”, ka deklaruar Dade. Ajo shkon edhe më tej, duke sulmuar dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. “Duke iu referuar partisë që përfaqëson interesat e minoritetit, ka pretenduar gjithmonë se përfaqësojnë edhe minoritete të tjera dhe, për fat të keq, rëndom janë për përfshirë në incidente që i mbartin vetëm ata që e quajnë veten anëtarë të minoritetit grek”, tha Dade. Ndërsa Zogaj mendon se incidente të tilla vijnë si pasojë edhe e gjendjes jo të mirë ekonomike. Ai bën fajtor për gjendjen jo të shëndoshë ekonomike pushtetin vendor. “Ne e njohim sesi funksionon sistemi i investimeve në pushtetin lokal. Kryetari i bashkisë dhe këshilli bashkiak duhet të paraqesin projekte pranë institucioneve, madje të bëjnë lobing. Nëse pushteti lokal refuzon, për arsye të ëndrrave, nuk kërkon asnjë projekt, u bën dëm banorëve”, thotë Zogaj.