PSD rol kyç

-Jeni shprehur “pro” propozimeve të PS-së lidhur me reformën zgjedhore, por nëse kjo kushtëzohet nga ana e PD-së edhe me ndryshimet e tjera kushtetuese, a do të votonit “pro”?
Skënder Gjinushi: “Tani reforma zgjedhore ka për qëllim që të shkëputemi nga disa praktika të gabuara në drejtim të reformës së mëparshme zgjedhore. Pra, pas vitit 2000 nuk janë bërë reforma zgjedhore, por në emër të tyre, në emër të zbatimit të rekomandimeve kemi bërë deformime, sepse u ligjërua “Dushku”. Pra, “Dushku” nuk është një prodhim i Kushtetutës. Është një prodhim i antikushtetutshmërisë në shumë nene të shtuara në kod. Edhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së është antikushtetues. Kjo reformë këtë radhë ka për qëllim pikërisht kthimin e normalitetit në ato që quhen themelet e demokracisë, pra zgjedhjet. Ndërsa ajo çka propozohet pastaj për ndryshimet të tjera në Kushtetutë, jo vetëm nga forma, (sepse një reformë kushtetuese nuk mund të nisë nga hiçi, nuk mund të jetë iniciativë e një deputeti, juridikisht madje mungojnë firmat e nevojshme për ta ligjëruar këtë propozim), por duket qartazi që kjo është një antireformë. Është një goditje e institucioneve të shtetit, është një tentativë për të dobësuar institucionin e presidentit qartazi. Kjo s’ka të bëjë me kush është presidentit sot. Kjo ka të bëjë me dobësimin e institucionit të presidentit, që bën të vihet në dyshim fryma e Kushtetutës dhe veçanërisht pavarësia e gjyqësorit”.
-Disa nga këto që ju i quani antireforma PS-ja i ka mbështetur dje në mbledhjen e kryesisë...
“Tani t’i mbështesë kush të dojë. D.m.th ndryshime kushtetuese të nxjerra nga sirtarët, të bëra pa asnjë rregull procedurial dhe të pastudiuara, të shoqëruara deri me propozime për kundërfirma, kur kundërfirmosja është vetëm për dekretligjet që nuk ekzistojnë më. Tani dekretligjet i nxjerr qeveria dhe quhen akte normativë. Saliu nuk i di këto, sepse i ka mbetur sahati te koha që Meksi kundërfirmoste dekretet e tij e i dukej sikur e ofendonte. Kaq kulturë ka për shtetin. Por edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit është absolutisht në kundërshtim me tërë logjikën e Kushtetutës. Presidenti me mazhorancën parlamentare janë dy institucione që zgjedhin institucionet e pavarura. I zgjedh kjo dyshe për të vendosur ekuilibrat, ndryshe i zgjidhte vetëm njëri. Pra i janë dhënë dy, sepse presidenti dhe shumica në Kuvend janë dy hallkat të cilat marrin pjesë në emërim dhe çemërim të të gjithë institucioneve kryesore në vend. Nëse presidenti pastaj zgjidhet me 71 vota, do të thotë që ai është thjesht një shtojcë e qeverisë dhe rrjedhimisht gjithë logjika e kushtetutës bie. Pra, kjo kushtetutë avullon e gjitha dhe kemi një president më të dobët se institucionet që zgjedh ai, më të dobët se ligjet që rregullojnë institucionet që zgjedh ai, duke filluar nga KLD-ja, gjykatat e me radhë. Prishen gjithë balancat që kjo Kushtetutë ka dashur të vendosë. Këto janë eksperimente të papranueshme”.
-A ndikon kjo në marrëdhëniet me PS-në?
“S’ka të bëjë me marrëdhëniet. Nëse PS-ja do t’i hapë rrugë PD-së për një arsye apo për një tjetër, kjo është puna e saj. Nuk do të thotë që ne duhet të kemi të njëjtin vlerësim për çdo mendim, aq më tepër për një reformë kushtetuese, e cila nuk ka nisur. Kërkojmë të bëjmë reformë pa nisur një reformë, kur reformat më të thjeshta nisen me një komision. Kurse reforma kushtetuese kërkon një super-komision. Fillon nga ai, në konsultim permanent me partitë dhe me institucionet kryesore të vendit. Absolutisht që kjo reformë përfshin edhe reformën në drejtësi, aq e përfolur, dhe reforma në drejtësi do të kthehet në një hiç. Përfundimisht, kthehet në një gjë pa kuptim, pasi ne pa bërë reformën në drejtësi godasim kreun e drejtësisë, që është presidenti. Pra, i heqim kokën dhe pastaj mendojmë si të shpëtojmë të sëmurin që i kemi prerë kokën”.
-Nëse ndryshimet kushtetuese për reformën dhe të tjerat vijnë bashkë do t’i votoni, apo jo?
“Ne nuk i votojmë, pikë. Nuk marrim pjesë në antireformë. Kushtetutën nuk e ndërrojmë ne sipas dëshirave të qeverisë të Gërdecit, e cila kërkon dhe, pasi djeg Shqipërinë, kërkon të forcojë pozitat e saj që të shtrijë Gërdecin më tej”.
-Si po ecën propozimi PSD-së? Duket se ka mbështetje edhe nga parti të djathta, të paktën Ndoka, Lesi e disa të tjerë....
“Tani, sigurisht një sistem i korrektuar është një sistem që nuk ka arsye të kundërshtohet, sepse dihet që e gjithë fryma e diskutimit për sistemin zgjedhor ka qenë që të kalohet në një sistem proporcional. Pra, të proporcionohet sistemi që kemi, e ky ka qenë varianti kryesor, pra që sistemi kushtetues i cili është në bazë të proporcionalit, të bëhej 100 për qind proporcional dhe kjo evitonte edhe “Dushkun” dhe e bënte më të thjeshtë këtë sistem, prandaj dhe kjo u përqafua edhe nga shumica e partive. Madje, edhe të mëdhenjtë nuk ishin kundër. Pastaj kaloi në një sistem tjetër, por gjithmonë duke ruajtur proporcionalitetin, dhe kjo ishte arsyeja pse flitej për prag. Gjithmonë flitej për një prag të moderuar. Kushtetuta sot e ka 2.4 për qind, mund të shkonte 3 për qind e s’ka arsye të shkohet më lartë, pasi edhe ky prag ka qenë i mjaftueshëm për të pasur një numër të limituar partish që mund të kualifikohen me forcat e veta. Kjo është arsyeja që edhe spanjolli i zbutur është një sistem, i cili në parim s’mund të kundërshtohet nga askush. Pra, është dhe një formë kompromisi, sepse partitë e mëdha që janë bërë me tifozë të këtij sistemi, të aplikojnë atë sistem që duan, dhe nga ana demokratike kjo nuk e shtrembëron votën dhe sigurisht nuk lë jashtë gare parti që kanë elektorat, sepse ka një konsensus, që parti me mbi 4 për qind nuk mund të quhet më parti e vogël. Quhet mesatare për kushtet e Shqipërisë”.
-Kjo duhet të realizohet bashkë me ndryshimet kushtetuese që pritet të miratohen tani për reformën zgjedhore apo më pas, në kodin zgjedhor?
“Pak rëndësi kanë hollësirat, sepse ka rëndësi njëherë që, në parim, të ketë një qëndrim të qartë, pra do rrimë në një spanjoll rixhid, apo tek një spanjoll i shqiptarizuar. Në fakt, rajonal me korrektim ka Bullgaria, ka Holanda, që janë rajonalë, por kanë një proporcionalitet prej vërteti. Pra, janë realisht rajonalë, nuk janë me “dhëmbë”, siç është sistemi spanjoll, që ka një prag të heshtur 8 deri 20 për qind”.