Komandanti rus në Ukrainë e pranon: Situata në Kherson e tensionuar, banorët të evakuoen me shpejtësi

Komandanti i forcave ruse në Ukrainë ka deklaruar se situata në qytetin jugor të Khersonit është “e vështirë” dhe sipas tij, banorët duhet të evakuohen. Gjenerali Sergei Surovikin tha se trupat ukrainase duke përdorur raketat Himars po godisnin infrastrukturën dhe banesat e qytetit.
“Ushtria ruse mbi të gjitha do të sigurojë evakuimin e sigurt të popullsisë të Khersonit. Ju lutemi merrni seriozisht fjalët e mia – po flas për evakuimin sa më shpejt të jetë e mundur. Në tërësi situata në zonën e operacionit special ushtarak mund të përshkruhet si e tensionuar”, tha ai.
Zyrtari rajonal i instaluar nga Rusia, Kirill Stremousov, paralajmëroi banorët e Khersonit se “në të ardhmen shumë të afërt” trupat ukrainase do të nisnin një sulm ndaj qytetit.
Ai shtoi se njerëzit në bregun perëndimor të lumit Dnieper (i quajtur Dnipro në Ukrainë) ishin më të rrezikuarit. Kherson ishte qyteti i parë i madh që ra në duart e rusëve, në shkurt. Forcat ukrainase kanë rimarrë në mënyrë të qëndrueshme territorin e afërt gjatë javëve të fundit. Ata janë shtyrë deri në 30 km (19 milje) në jug përgjatë Dnieper, duke kërcënuar të bllokojnë trupat ruse.
/rtsh.al/