E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja e "humbur", ja kuqezinjtë që janë zhdukur

TIRANE- Në kombëtaren shqiptare ka patur shpesh futbollistë që janë mbajtur mend vetëm për një ndeshje apo ndoshta edhe vetëm për një gafë. Ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve, ndërhyrjet e vazhdueshme të menaxherëve apo edhe mungesa e një projekti të qartë për ekipet kombëtare, ka bërë që shumë lojtarë të veshin fanelën kuqezi e më pas të zhduken pa lënë asnjë gjurmë. Një gjë e tillë ka ndodhur aq shpesh, sa sot mund të ndërtosh një formacion me "yjet" e humbur të ekipit përfaqësues. Sot, një pjesë e madhe e tyre ndodhen në klube të kategorive të ulta, duke bërë një karrierë nga lart-poshtë.

BILLA
Porta në formacionin e të "humburve" nuk mund t'i besohet askujt tjetër, përveçse Efstrat Billës. I konsideruar si një talent në fillim të viteve '00, vlonjati luajti vetëm 2 ndeshje miqësore me ekipin kombëtar, në kohën kur ai drejtohej nga Hans Peter Brigel. Sot, Billa është 31 vjeç dhe luan me Gramshin, ndërsa karriera e tij ka qenë më shumë se e çuditshme, duke e parë sa në një vend në tjetrin. Duke parë këtë, Brigel mund të thuhet se bëri një zgjedhje të drejtë edhe pse në atë kohë u kritikua jo pak.

RRUSTEMI
Blerim Rrustemi mori pasaportën shqiptare në vitin 2007, kur kombëtarja drejtohej nga Oto Bariç. Luajti tre ndeshje, duke dhuruar tre paraqitje të ndryshme, dy të fundit e të cilave, "horror". Në barazimin 0-0 në Slloveni, ai për pak shkaktoi një penallti dhe pas ndeshjes bënte humor, duke thënë se "e shkaktova penalltinë, por i fola arbitrit portugalisht dhe ai nuk e dha". Ky ishte vetëm starti i pikiatës së tij. Në ndeshjen pasardhëse, në nëntor 2007, kundër Bjellorusisë, krahu i Rrustemit u kthye në autostradë nga bjellorusët dhe lojtari për 20 minuta dukej i dehur. "Nuk di të luaj në krah", tha ai, pas asaj humbjeje 2-4. Mbrojtësi kosovar luan tashmë me Vllazninë.

A.BEQIRI
Një kapiten legjendar te Partizani, por jo edhe aq në përfaqësuese. Ardit Beqiri regjistron 14 ndeshje me fanelën kuqezi, jo pak për një lojtar që ka luajtur vetëm në Shqipëri. Sot, në moshën 32-vjeçare, ai është te Partizani në kategorinë e tretë me Partizanin. Beqiri luan mbrojtës i djathtë, por shpesh është aktivizuar edhe si mesfushor. Ai doli nga xhiroja e kombëtares në një periudhë kur kjo e fundit kishte alternativa shumë herë më të mira. H.NDREKA
Mbrojtësi 28 vjeçar aktivizohet me Kamzën në Superligën shqiptare. Ndreka mendohej se do të ishte e ardhmja e mbrojtjes së kombëtares, por ai luajti vetëm një ndeshje me të. U përfol se pengesë u bë një debat me Brigelin, megjithatë Ndreka nuk e ka parë më fanelën e kombëtares A, pavarësisht një fiziku të parametrave ndërkombëtarë për një mbrojtës.

I.ALLMUÇA
Historia e tij është nga ato të një futbollisti të pafat. Te Dinamo, Allmuça ka qenë përherë një prej lojtarëve më konstantë, duke krijuar volum të madh loje dhe duke marrë përsipër shumë gjëra në mesfushë. Por, ai e ka veshur vetëm njëherë fanelën e ekipit kombëtar edhe pse të gjithë janë të mendimit se duhet të ishte provuar më shumë. Allmuça është 31 vjeç dhe luan aktualisht me Skënderbeun, ku kaloi pas shumë vitesh eksperience me Dinamon.

B.SHKËMBI
Në fillim mendohej si e ardhmja e mesfushës së kombëtares, por është fakt se Bledi Shkëmbi nuk pati ndonjë rritje të dukshme nga momenti i daljes në futbollin e madh. Që nga momenti që Brigel i besoi një vend titullari, në një miqësore me Estoninë të fituar 3- 0, forma e Shkëmbit është dukur në rënie. Sot, ai është një lider te Skënderbeu dhe një prej mesfushorëve më të mirë të kampionatit, ndërkohë që në kombëtare regjistron 14 ndeshje. Shpesh, korçari ka qenë i eklipsuar edhe nga një Ervin Skela në superformë.

D.BYLYKBASHI
Duket si një "njeri në kërkim", pasi Dorian Bylykbashi nuk dihet se ku luan sot. Klubi i tij i fundit ka qenë Elbasani dhe sipas të dhënave, figuron ende aty, por në të vërtetë mësohet se e ka lënë pas dore futbollin. Bylykbashi mendohej si një nga fantazistët e së ardhmes në kombëtare, megjithatë një parashikim i tillë nuk rezultoi aq i vërtetë, ndonëse ka zëra që flasin se nuk ka patur shumë shanse të tregojë veten, duke qenë se e ka veshur vetëm 6 herë fanelën e përfaqësueses. Pasi provoi eksperiencat me Elbasanin, Vllazninë, Partizanin dhe Krivbasin në Ukrainë, Bylykbashi sot është një lojtar thuajse i "harruar", edhe pse te Partizani ka ende një emër të madh.

L.MEMUSHAJ
Ledian Memushaj është përmendur nga trajneri i ri i kombëtares Xhani De Biazi, si një nga emrat e parë për t'u vëzhguar. Ai u thirr nga trajneri Josip Kuzhe dhe luajti 2 ndeshje miqësore me kombëtaren, por tashmë ka zbritur në kategorinë e katërt italiane, ku luan me klubin modest të Capri-t. Memushaj është vetëm 24 vjeç dhe luan në rolin e mesfushorit, ndërsa në dy ndeshjet e aktivizuara, emocionet bënë që ai të dukej një nga më të dobtët në fushë.

M.DRAGUSHA
Mehmet Dragusha ka një nga historitë më të çuditshme nga futbollistët shqiptarë. Ai ka luajtur 10 ndeshje dhe ka shënuar një gol me fanelën kuqezi, por për të gjithë, kosovari ishte një futbollist që nuk kishte ndonjë lidhje me ekipin. E merrte krahun e majtë në mënyrë të vazhdueshme, por pa asnjë produktivitet, ndërkohë që daljet e shpeshta përpara bënin që kundërshtarët ta ishin një rrezik konstant në krahun e tij. Që nga vitet 2003-2005, kur luante me kombëtaren, Dragusha ka patur një "rënie të lirë" në karrierën e tij. Kosovari është tashmë 34 vjeç dhe nuk e ka lënë futbollin, por luan me ekipin e kategorisë së gjashtë gjermane FSV Braunfels.

B.KASTRATI
Bekim Kastrati mbahet mend nga të gjithë shqiptarët për një asist të mrekullueshëm për rumunët, në ndeshjen e 6 shtatorit 2006. Takimi që po luhej në "Qemal Stafa" ishte mbërthyer në shifrat 0-0 dhe skuadra mike nuk kishte ndonjë superioritet në fushën e lojës. Bariç, i sapoemëruar në krye të kombëtares, hedh në lojë Kastratin, me shpresën se ai do të bënte diçka në sulm. Vazhdimi? Sulmuesi kosovar, tepër i nxituar nga natyra, kthen një top mbrapa dhe sulmuesi rumun Nikulae Dika shënoi i qetë golin e avantazhit. Më tej, Kastrati për pak sa nuk mori karton të kuq, duke ndërhyrë si "kasap" në dy momente. Pas atij takimi, ai nuk e pa më përfaqësuesen, me të cilën zhvilloi në total 3 ndeshje. Sot, në moshën 27-vjeçare, Kastrati luan me Borusia Ëupertaler në kategorinë e katërt gjermane. Në karakter duket se ka ndryshuar pak, pasi 3 vjet më parë, kur luante me Fortunën e Dyseldorfit, u vendos në qendër të mediave botërore. Gjatë një miqësoreje me Bajernin e Mynihut, një shans i mirë për t'u dukur, Kastrati luajti përgjatë gjithë pjesës së dytë me një testikul të çarë, duke rrezikuar më pas ta humbiste atë në spital...

B.BERISHA
Besart Berisha shihej nga të gjithë si e ardhmja e sulmit kuqezi, por lojtari kosovar shpesh ishte në fushë për "qejfin e vet". Pasimi ishte një "tabu" për Berishën, aq sa holandezi Ari Han nuk ngurroi të deklaronte hapur se "ai është një lojtar që nuk ka lidhje me skuadrën tonë". Berisha e provoi fatin e tij në gjysmën e shteteve të Evropës, duke mos luajtur më shumë se 6 muaj në një ekip. Si të mos i mjaftonte kontinenti i vjetër, tashmë ai ka zgjedhur të bëjë karrierë në tokën e kangurëve, në Australi. Sulmuesi kosovar aktivizohet me Brisbane Roar, me të cilën ka shënuar 9 gola në 12 ndeshje, duke u bërë një nga sulmuesit më të mirë të A-League. Berisha regjistron 17 ndeshje dhe 2 gola me kombëtaren, të dy në ndeshje miqësore.
(ma.ar/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›