E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja kuqezi, në vendin e 70-të në renditjen e FIFA

Klasifikimi

Kombëtarja shqiptare është ngjitur në vendin e 70-të të renditjes së FIFA-s. Ashtu si ka ndodhur gjatë muajve të kaluar, pas rezultateve të mira në miqësoret e luajtura deri më tani, edhe gjatë muajit gusht përfaqësuesja kuqezi ka bërë hapa përpara. Skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe është ngjitur një shkallë më lartë në rang listën botërore, ndërsa e ndan vendin e 70-të me Kombëtaren e Arabisë Saudite, me 455 pikë. Ky rezultat ka ardhur pavarësisht faktit se Shqipëria nuk ka luajtur asnjë ndeshje prej muajit qershor: ecuria pozitive ka vazhduar si rrjedhojë e lëvizjeve të skuadrave të tjera. Për sa u takon kundërshtarëve të Kombëtares në Grupin D eliminator të Euro 2012, Franca, Rumania dhe Bosnjë-Hercegovina nuk kanë ndryshuar pozicione. Blutë vazhdojnë të jenë në vendin e 21-të, rumunët në të 42-tin, ndërsa boshnjakët në të 57-tin. Rënie kanë pësuar Bjellorusia, që humbet një vend dhe tashmë është e 78-ta dhe Luksemburgu që zbret në vendin e 117-të. Renditja e FIFA-s kryesohet nga kampionia e botës, Spanja, ndërsa pas saj vijnë Holanda dhe Brazili. Gjermania, Argjentina, Uruguai, Anglia, Portugalia, Egjipti dhe Kili plotësojnë “Top-10”, ndërsa Italia është e 11-ta.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›