E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitore edhe me Uzbekistanin, Shqipëria “poker"miqësoresh

Kombëtarja triumfon 1-0, Hamdi Salihi mbetet protagonisti i kuqezinjve

Shqipëria vazhdon serinë e fitoreve në miqësoret e zhvilluara në prag të eliminatoreve të Euro 2012. Skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe realizon “pokerin”, duke fituar 1-0 përballë Uzbekistanit, ashtu si kishte bërë më parë me Irlandën e Veriut, Malin e Zi dhe Andorrën. Hamdi Salihi mbetet protagonisti kryesor i Kombëtares, duke u dhënë për herë të tretë fitoren kuqezinjve. Edhe në testin e luajtur në Durrës, mbrojtja ka dhënë sinjale pozitive, duke regjistruar ndeshjen e pestë pa pësuar gol; një rekord për ekipin. Megjithatë, ashtu si me Andorrën, janë shfaqur sërish problemet në fazën sulmuese, me shpërdorimin e tepruar të rasteve përpara portës kundërshtare.

Shqipëria e nis vrullshëm takimin, ndërsa momenti i parë i rrezikshëm regjistrohet pa kaluar dy minuta lojë: Muzaka shkëputet bukur nga e djathta dhe gjen Salihin në qendër, por sulmuesi kuqezi, i ndodhur fare pranë portës së Uzbekistanit, nuk gjen rrjetën. Muzaka është sërish protagonist pak çaste më vonë, kur pas një kombinimi të bukur me Duron shfaqet në pozicion shënimi, por mesfushori i Dinamos kërkon të gjejë Bogdanin, duke shpërdorur një rast mjaft të mirë. Kuqezinjtë janë fare pranë golit dhe tentativat e Agollit nga distanca dhe Bogdanit që nuk arrin të devijojë me kokë, i paraprijnë golit të Hamdi Salihit. kur kronometri tregonte 14 minuta, sulmuesi shkodran e dërgon topin në rrjetë, pas një harkimi të Agollit, që është devijuar nga mbrojtësi Ismailov, i cili nxjerr jashtë loje portierin Nesterov. “Bomberi” kuqezi falënderon dhe e shfrytëzon dhuratën, duke mos e pasur të vështirë të përshëndesë rrjetën. Ky ishte goli i tretë radhazi i Salihit, pas rrjetave në miqësoret me Malin e Zi dhe Andorrën dhe i 5-ti me fanellën e Kombëtares shqiptare. Pas avantazhit, lavdi kërkon edhe Erjon Bogdani, që tenton nga pozicion i prirët, por portieri Nesterov largon. Uzbekistani është dukshëm inferior dhe për t’iu afruar portës së Beqajt, aziatikëve u janë dashur 18 minuta, ndërsa devijimi me kokë i Gejnrikh ishte shumë i lehtë për të shqetësuar portierin Beqaj. Me kalimin e minutave Shqipëria ul ritmin, megjithatë vazhdon të krijojë raste të mira: Dallku nga jashtë zonës dhe Salihi gjuajnë, por gabojnë vetëm për pak centimetra. Miqtë duket sikur zgjohen dhe në minutat 26-të e 28-të vënë në provë Beqajn me goditjet nga distanca të Salomon dhe Gejnrikh, pa arritur ta mposhtin “gardianin” kuqezi. Pas këtyre momenteve, minutat deri në fundin e pjesës së parë janë një monolog i përfaqësueses shqiptare, e cila ka fajin se shpërdoron shumë përpara portës kundërshtare. Bogdani në tri momente, Salihi dy herë dhe një tentativë e Bulkut nga distanca nuk janë konkretizuar me gol, duke shkaktuar pakënaqësi te trajneri Josip Kuzhe.

Në fraksionin e dytë të lojës fillon edhe testimi i lojtarëve nga të dyja skuadrat dhe cilësia e lojës bie. Një gjuajtje e Gejnrikh për uzbekët dhe tentativa e Bogdanit në të 54-tën janë rastet e vetme që mund të shënoheshin, ndërsa Kuzhe ka aktivizuar Hykën, Bakajn, Bylykbashin, Kapllanin e Vilën. Në të 74-tën kuqezinjtë kanë dalë mjaft mirë në kundërsulm, por dëshira e Kapllanit për të gjetur i vetëm rrjetën, i ka dhënë fund pa sukses një aksioni ku sulmuesit shqiptarë ishin në superioritet numerik. Ndeshja ka vazhduar me tentativa të vakta dhe të pashfrytëzuara për shkak se lojtarët zëvendësues janë shfaqur më individualistë nga sa duhej, ndërsa në sekondat e fundit të lojës Bakaj ishte fare pranë golit. Megjithatë goditja nga distanca e sulmuesit të Dinamos ka përfunduar jashtë. Sfida në “Niko Dovana” përfundon 1-0, miqësorja e katërt radhazi që Shqipëria fiton me rezultatin minimal.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›