Ndryshon struktura, Superiorja me 14 ekipe në sezonin 2011-‘12
Pas dy vjetësh, klubet fitojnë “mundjen e krahut” me Federatën Shqiptare të Futbollit. Komiteti Ekzekutiv në institucionin që drejton sportin më popullor në vend ka pranuar kërkesën e skuadrave elitare për të rritur numrin e pjesëmarrëseve në Kategorinë Superiore. Në këtë mënyrë, organi vendimmarrës në FSHF ka vendosur të ndryshojë strukturën e aktivitetit më të rëndësishëm, ku duke nisur nga sezoni 2011-2012 do të luajnë 14 skuadra.
Ndryshimi do të vijë pas 5 edicioneve, periudhë gjatë së cilës Superiorja është luajtur me 12 skuadra, ndërsa ndeshjet ishin ndarë në tri faza, për një total prej 33 sfidash brenda një sezoni. Edhe pse ka funksionuar në vitet e para, madje duke e mbajtur garën të hapur deri në fund, shumë shpejt skuadrat i kanë mësuar hilet. Kulmi u arrit në sezonin e kaluar: fakti që Dinamo e mbylli luftën për titull në fazën e dytë, ka bërë që kryesueset të tolerojnë dukshëm ekipet që luftonin për mbijetesë. Kjo ka bindur federatën të pranojë kërkesën për ndryshimin e strukturës, duke e kthyer kampionatin elitar në një aktivitet me 14 skuadra, që sipas të gjitha gjasave do të luajnë në dy faza. Kjo strukturë është përdorur për herë të fundit në edicionin 2002–‘03, ndërsa më pas u kalua në garën me 10 skuadra. “Komiteti Ekzekutiv vendosi të pranojë propozimin e klubeve elitare për të ndryshuar strukturën për sezonin 2011-2012. Nga një kampionat me 12 skuadra, Kategoria Superiore do të bëhet me 14”, konfirmoi sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani. “Në fund të sezonit 2010-2011, do të bien nga kategoria automatikisht dy skuadra, ndërsa do të ngjiten 4 të parat e Kategorisë I. Në këtë mënyrë do të plotësohet numri me 14 ekipe, ndërsa ato që do të renditen në vendet 9 dhe 10-të do të luajnë ndeshje ‘play-out’ me vendet 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë”. Prodani konfirmoi gjithashtu edhe pranimin e kandidaturës së Arsen Hoxhës si dizenjator i Superiores. Përpara startit të kampionatit elitar në vend (java e parë do të luhet më 21 gusht) do të zhvillohet edhe një tjetër mbledhje e Ekzekutivit. Aty pritet të bëhen disa ndryshime në rregullore, ndërsa nuk përjashtohet të diskutohet edhe rreth mënyrës se si do të luhet faza e tretë e Superiores në sezonin e ri, ku një ide është ndarja në dy grupe: skuadrat që luftojnë për titull dhe ato që kërkojnë mbijetesën.
#