Kombëtarja “made in Kuzhe” nis Europianin

Me publikimin e listës së lojtarëve për dy ndeshjet zyrtare kundër Rumanisë (3 shtator, 20:00, “Ceahaul”, Piatra Neamnt) dhe Luskemburgut (7 shtator, 20:15, “Loro Boriçi”, në Shkodër), Shqipëria nis virtualisht fushatën eliminatore të Kampionatit Europian 2012, i cili do të organizohet në Poloni dhe Ukrainë. Pas katër ndeshjeve miqësore të suksesshme gjatë vitit 2010 (katër fitore 1-0: kundër Irlandës së Veriut, Malit të Zi, Andorrës dhe Uzbekistanit). Rumania është një provë e fortë dinjiteti për Shqipërinë, por dhe një mundësi për të parë forcën reale të ekipit tonë pas miqësoreve me kundërshtarë jo të nivelit të lartë, thuajse të formatit të Luskemburgut, ndaj të cilit në dy ballafaqimet e fundit para tre vjetësh fituam 5-0 në total.
MIKS PËRVOJASH - Shqipëria e Kuzhesë, me një kastë lojtarësh, ku përzihet eksperienca e veteranëve të tillë si Arjan Beqaj, Ervin Skela, Klodian Duro, Erjon Bogdani, Admir Telit, me moshën e artë të Lorik Canës, Hamdi Salihit, Debatik Currit, Armend Dallkut, Edmond Kapllanit, Ansi Agollit dhe rininë e Jahmir Hykës, Kristi Vangjelit, Elis Bakajt, dëshiron të fshijë kujtimet e këqija të humbjes 6-1.
SKELA “DËBON” BYLYKBASHIN – Në fakt, që të janë pa skuadër. Në ndeshjen miqësore kundër Uzbekistanit, Ervin Skela edhe me miratimin e trajnerit Kuzhe nuk pranoi të vinte, dhe në vend të tij kroati thirri Dorian Bykykbashin (edhe ai pa ekip). Me rikthimin e Skelës, lojtari më shumë gola në grupin aktual (13), Bylykbashi nuk pati më hapësirë në Kombëtare. Skela pritet të rimarrë dhe shiritin e kapitenit, që në ndeshjen miqësore kundër Uzbeksitanit e mbajti Lorik Cana. Kuzhe e ka shprehur në më shumë se një rast se ai ka nevojë për eksperiencën e Ervin Skelës, me apo pa ekip. Goli i tij i fundit, në fitoren 1-0 në miqësoren kundër Irlandës së Veriut ishte një kryevepër e vërtetë.
RIKTHIMI I TELIT – Rithirrja e mbrojtësit të Karabakut në Azerbajxhan, Admir Teli, mund të konsiderohet edhe si surpriza e listës së Kuzhesë. Mbrojtësi shkodran, i cili është duke bërë një sezon të mirë me skuadrën azere (pjesëmarrëse në turin e tretë eliminator të Ligës së Europës), është i famshëm në të gjithë botën për markimin e rreptë që i bëri Kristiano Ronaldos dhe bërrylin ndaj yllit portugez në barazimin historik 0-0 me Portugalinë në Braga për eliminatoret e Kampionatit Botëror të Afrikës së Jugut. Teli u ndëshkua me karton të kuq në atë takim. Për Shqipërinë ai mungonte qysh nga ndeshja miqësore kundër Gjeorgjisë.
“NEW ENTRY” JANUZI - Një fytyrë e re për Kombëtaren është sulmuesi i ri i Vorskla Poltavës, kosovari Ahemd Januzi, i cili në fakt, ishte thirrur edhe për ndeshjen miqësore kundër Uzbekistanit, por që për shkak të dëmtimit nuk mundi të vinte në në Shqipëri. Januzi, një ish-lojtar i Kombëtares A, konsiderohet si një sulmues më të ardhme. Në vijnë e parë të sulmit, Kuzhe si gjithmonë ka thirrur Erjon Bogdanin (12 gola me Kombëtaren), Edmond Kapllanin (6 gola), Hamdi Salihin (5 gola, tre në tri takimet e fundit miqësore), ky i fundit është dhe autori i golit të fundit zyrtar të Shqipërisë në humbjen 4-1 me Suedinë për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010.
GJEOGRAFI E PASUR – Lojtarë që luajnë në nëntë vende të ndryshme të Europës marrin pjesë në Kommbëtaren e ideuar nga trajneri Kuzhe për dy ndeshjet zyrtare të radhës. Duke i parë më në detaj 23 lojtarët e thirrur, përveç Ervin Skelës, ende pa ekip, në Shqipëri luajnë 6 futbollistë (Hidi, Lila, Vrapi, Vila, Bakaj, Muzaka), Turqi (3, Cana, Curri, Lika), Austri (2, Duro, Salihi), Azerbajxhan (2, Teli, Agolli), Greqi (2, Hyka, Vangjeli), Itali (2, Bogdani, Ujkani), Ukrainë (2,Dallku, Januzi ), Gjermani (1, Kapllani), Qipro (1, Beqaj), Kroaci (1, Bulku). Vetëm në dy raste, dy lojtarë legjionarë të thirrur luajnë në të njëjtën skuadër: Teli dhe Agolli te Karabaku në Azerbajxhan dhe Dallku dhe Januzi te Vorskla Poltave në Ukrianë. Nga kampionati shqiptar përfaqësohen tri skuadra: Dinamo (Hidi, Bakaj, Muzaka, Vila), Tirana (Lila) si dhe pas shumë vitesh edhe Skënderbeu (Vrapi).
NË LËVIZJE - Prag ndeshja kundër Rumanisë u shoqërua me lëvizje të shumta të lojtarëve të Kombëtares: Lorik Cana nga Sanderlendi në Angli tani është pjesë e Gallatasarjit në Turqi; Klodian Duro nga Apolon Limasol në Qipro te Lask Linz në Austri, Arjan Beqaj nga Anothosis Famagusta te Olimpiakos Nikosia po në Qipro; Ervin Bulku nga Krivbasi në Ukrainë të Hajduku i Splitit në Kroaci; Jahmir Hyka nga Mainci në Gjermani te Panionos në Greqi; Debatik Curri nga Vorskla Poltava në Ukrainë te Genclerbirligi në Turqi; Gilman Lika nga Boluspori te Diabarkispori po në Turqi; Isli Hidi nga Krivbasi në Ukrainë te Dinamo në Shqipëri; Erjon Bogdani nga Kievo te Cezena po në Itali; Edmond Kapllani nga huazimi te Koblenci te Augsburgu po në Gjermani.
KUJTIME TË HIDHURA - Josip Kuzhe, i cili e ka drejtuar vetëm në tri ndeshje zyrtare Shqipërinë (dy humbje: me Portugalinë, Suedi; një barazim: me Danimarkën), do të ketë grumbulluar njohuritë e duhura për lojtarët që pasuesi i Ari Hanit ka thirrur pas dhjetë takimeve të tij me Kombëtaren shqiptare (7 miqësore, 3 zyrtare), për të mos dështuar në të parën sfidë të tij “Made in Kuzhe” kundër Rumanisë, atje ku bashkëpatriotët e tij, Oto Bariç dhe Sllavko Kovaçiç pësuan një humbje turpëruese 6-1.
STATISIKA TË KEQIJA - Rumania ka një statistikë shumë pozitive ndaj Shqipërisë, ku në 13 ndeshje ka fituar 10, barazuar 1 dhe humbur 2, ku në Rumani ka fituar 5 ndeshje, barazuar 1 dhe humbur 1. Shqipëria humbet prej nëntë ndeshjesh rresht me Rumaninë, përfshirë dhe dy takimet për eliminatoret e Euro 2008-s: 2-0 në Tiranë dhe 6-1 (gol i Kapllanit). Fitorja e vetme e Shqipërisë ndaj Rumanisë daton në vitin 1948 në Bukuresht, ndërsa barazimi i fundit ndaj saj është fiksuar po në Bukuresht, një 1-1 tetor të vitit 1949.
Rekordi i golave
Sulmuesi Alban Bushi mban edhe rekordin e golave me Kombëtaren shqiptare 14 të tilla, i ndjekur nga Ervin Skela (ende aktiv) me 13 gola dhe Erjon Bogdani 12 gola.
Rekordi i ndeshjeve
Ish-portieri Foto Strakosha mban rekordin kuqezi përsa u përket numrit të përfaqësimeve: 73 ndeshje të tilla. Mesfushori Altin Lala ka kohë që ka ngecur në 71 ndeshje.
“Topçiu” i Euro-s
Sulmuesi Edmond Kapllani, aktualisht te Augsburgu i Bundesligës së 2 gjermane, me 5 gola është shënuesi më i mirë i Shqipërisë në eliminatoret e kampionateve europiane.
Kuzhe: “Objektivi vendi i katert”
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, deklaroi gjatë konferencës së tij për shtyp, të mbajtur vetëm 24 orë pas hedhjes së shortit të eliminatoreve të Euro 2012 (8 shkurt 2010), se ai synon të paktën të kapë vendin e tretë ose të katërt në grupin D, duke lënë pas dy apo tre skuadra: Bjellorusinë në rritje dhe Luksemburgun modest, e ndoshta dhe Bosnjën.
Lista e lojtarëve
1. Arjan Beqaj (Olimpiakos Nicosia, Qipro)
2. Isli Hidi (Dinamo, Shqipëri)
3. Samir Ujkani (Novara, Itali)
4. Andi Lila (Tirana, Shqipëri)
5. Armend Dallku (Vorskla Poltava, Ukrainë)
6. Kristi Vangjeli (Aris Selanik, Greqi)
7. Ansi Agolli (Qarabak, Azerbajxhan)
8. Admir Teli (Qarabak, Azerbajxhan)
9. Lorik Cana (Gallatasaraj, Turqi)
10.Endri Vrapi (Skënderbeu, Shqipëri)
11.Debatik Curri (Genclebirligi, Turqi)
12.Ervin Bulku (Hajduk Split, Kroaci)
13.Ervin Skela (pa ekip)
14.Klodian Duro (Lask Linz, Austri)
15.Jahmir Hyka (Panionos, Greqi)
16.Gilman Lika (Diabarkispor, Turqi)
17.Emilian Vila (Dinamo, Shqipëri)
18.Gjergj Muzaka (Dinamo, Shqipëri)
19.Erjon Bogdani (Cesena, Itali)
20.Hamdi Salihi (Rapid Vienë, Austri)
21.Edmond Kapllani (Augsburg, Gjermani)
22.Elis Bakaj (Dinamo, Shqipëri)
23.Ahmed Jonuzi (Vorskla Poltava, Ukrainë)
PROGRAMI I KOMBËTARES
29 gusht: Grumbullimi i skuadrës
30 gusht: Dy seanca stërvitore
31 gusht: Miqësore me Apoloninë (17:00)
1 shtator: Dy seanca stërvitore
2 shtator: Nisja për në Rumani, stërvitje në Cehaul Stadium
3 shtator: Ndeshja me Rumaninë
4 shtator: Një seancë stërvitore
5 shtator: Një seancë stërvitore
6 shtator: Një seancë stërvitore
4 shtator: Ndeshja me Luksemburgun në Shkodër
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Enjte, 26 Gusht 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili