E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombinatit i shtohet një minikompleks për fëmijët

Bashkia e Tiranës vazhdon zbatimin e projektit “Dua të Luaj”, i cili synon rigjallërimin e jetës së fëmijëve dhe më të rinjve në hapësirat e vogla brenda blloqeve të banimit. Me këtë rast, lagjes së Kombinatit iu shtua një minikompleks rekreativ i cili përfshin 2 kënde të lojërave për fëmijë si dhe një ambjent çlodhës për të moshuarit, në rrugën “Hamdi Cenoimeri”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama duke vlerësuar objektivin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e 100 këndeve të tilla, të kombinuara për fëmijë dhe të moshuar, është shprehur: “Unë i përsëris Kryeministrit thirrjen për të hequr dorë nga ato ndryshime në ligjin e legalizimeve që i kthejnë këto hapësira përfundimisht në hapësira të pushtuara, duke legalizuar ndërhyrjet e paligjshme barbare brenda blloqeve të banimit. Kjo nuk është politikë për të mbështetur ata që janë në nevojë, kjo është politikë për të rrënuar njëherë e mirë të ardhmen e fëmijëve dhe ne nuk duhet ta lejojmë, e për këtë Kryeministri duhet të tërhiqet”

Projekti i Bashkisë së Tiranës “Dua të Luaj” është klasifikuar në finalen e edicionit të pestë të konkursit Evropian për Hapësirat Publike. Ky konkurs që organizohet nga Qendra Kulturore Bashkëkohore e Barcelonës, këtë vit numëroi mbi 176 projekte urbane nga 26 vende evropiane.

“Dua të Luaj” synon ndërtimin e 100 minifushave, këndeve të vogla por të domosdoshme sportive në të gjitha hapësirat komunitare të kryeqytetit, në mënyrë që fëmijët të gjejnë një hapësirë të mbrojtur dhe cilësore, një hapësirë ku së bashku të argëtohen, duke synuar nxitjen e aktivitetit lëvizor të tyre si dhe forcimin e lidhjeve sociale.

Ndërtimi i këtyre minifushave, jo vetëm në këtë zonë, por edhe në shumë lagje të tjera të kryeqytetit u ka ofruar fëmijëve një mundësi të mirë dhe një vend të sigurt për të kaluar kohën e lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›