E Diel, 1 Nëntor 2026

Komenti/Të largohemi nga klisheja e ngritjes së zërit, si kërkim të drejte



Nuk besoj se ka statistika mbi sa shqiptarë flasin me zë të ulët dhe sa bërtasin, duke folur. Por sa herë më bie rasti të rrah vende me popullatë masive si restorante, autobuzë urbanë dhe furgona ruralë, apo zyra të administratës shtetërore e mbledhje etj., kam përshtypjen se qetësia, heshtja, butësia ose/dhe zhurma e moderuar të jetë një dimension i panjohur për pjesën më të madhe të personave. Edhe po ju ndodhi në një moment vetëmbrojtje aktive, të kërkoni të ulin pak zërit, ose volumin e radios, reagimi nuk do jetë kurrë i nxehur apo agresiv, por i hutuar d.m.th i shastisur, si shenjë që bërtatësi nuk e kupton absolutisht se po bërtet. Natyrisht dihet se zhurmat, zallamahitë janë bërë tashmë pjesë e kompletit të përditëshëm shqiptar. Në një situatë të tillë, me shumë gjasa njeriut që do të ndodhet në pozicionin e atij që kërkon pak qetësi, pak butësi, pak urtësi në ditën e
përditëshme do t’i vihet etiketa si ai që prish festën, që bojkoton ritmin therës të gazmorit egocentrik. Ky i fundit është po ai njëherësh kauzë dhe efekt i poteres shurdhuese.
Tani të kuptohemi: nuk është se jam apriori kundër atyre që bërtasin, ulërasin, gërthasin, thërrasin me zë të lartë sepse është diçka e natyrshme, që i përket gjenetikisht njeriut në ADN-në e tij prehistorike duke u gjendur mes shtazëve i duhej një aksesor alarmant siç është ngritja e tonit të zërit, me lajmërue rrezikun. Lumturisht, për fat të mirë, nga pozicioni prehistorik jemi larguar me kohë, madje me përparimit e kalitjes se tezgjave të zërit në një sofistikim të lartë muzikor: arrijme në lirikë, deri në poezi. Si forma më e lartë e butësisë shpirtërore. Por rreziku mbetet, zhurma ka marrë aksese të tjera kuptimore, si legjimitet të atij qe ka të drejtë. Shih pak televizor apo radio allashqiptare dhe kupton se po jeton në një univers paralel, ku prehistoria është prapa derës. Poezia e fjalëve të buta të ngjizura bashkë me shpirt tingullues si shprehje e njërzillëkut, për fat të keq ka humbur në një drejtim të ditur. Shkaqet dihen, jemi ne vetë që i krijojmë pa menduar. Mendimi është bërë parapëlqim, një aneks i trurit. Por ka dhe shkaqe të specializuara, që vijnë nga larg dhe afër në kohë materiale.
Sot ne kemi një politikë që prodhon vetëm përplasje zhurmuese mediatike, duke u larguar nga poli i pasionit civil që duhet ta karakterizojë si profesion, si virtyt shoqërorë. Kemi një elitë intelektuale gadi pothuajse të formuar nën rregjimin e afërmëdësh edukimi i tyre ka kaluar nëpër lexime aspak largpamëse d.m.th sinonimisht: dritëshkurtër. Dhe në mënyrë instinktive kur s’kemi argumente të qarta, sintetike, përplasim duart, ngremë zërin me mendimin (e gabuar) se kush e ngre zërin, ka të drejtë. Mjerisht edhe filizat e rinj sillen përqark nëpër kafene e kafaze, kapardisen si të hipnotizuar në një kryeqytet mediokër për nga jeta kulturore. Disa luajnë me mitet, të tjerët luajnë bixhoz nëpër kazinot afër kishave, xhamive dhe shkollave-çerdhe. Varfëria e shumëfishtë civile deklarohet në një ngritje zëri individuale, tejet solipsistike, ku deftehet një gropësirë, një dhimbje e gjëre pa kuptim, pa fjalë.
Gjykoj se ma e mira në këto raste është të përtypim nën zë duke mos e shfaqur në një mënyrë ekzibicioniste vënd e pavënd. Sepse dhimbjet, sa më shumë të jenë të vërteta dhe të thella ma shumë duhen konsumuar në vetmi dhe në heshtje. Zhurmat janë krijesa të një lëvizje anormale, të papërpunuar nga edukimi qytetar modern. Ndoshta problemi jonë është pikërisht ky: d.m.th kjo lehtësi melankolike që shpesh shoqerohet me heshtjen dhe mendimin e medituar, është e kuptuar si një fyrje e padurushme, si një ndërprerje e asaj rromuje që po na karakterizon, që po na trullos dhe po na ndalon riskun e të menduarit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›