E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioneri i Zgjerimit në BE Stefan Fule sot në Tiranë, takon krerët e shtetit


Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule pasditen e sotme viziton për herë të parë Shqipërine. Në axhendën e komisionerit Fule është përfshirë një takim me kreun e shtetit Bamir Topi në orën 16:00, takim me kryeministrin Sali Berisha dhe prononcim për median në orën 16:30, takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli në orën 17:00 dhe një takim me liderin e opozitës Edi Rama.
Vizita e komisionerit për zgjerimin në Tiranë bëhet në kuadrin e një turi në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor; për të diskutuar përparimin e secilit prej këtyre vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Vizita e tij merr një rëndësi të veçantë pasi Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat, por pret edhe vendimin përfundimtar për liberalizimin e regjimit të vizave.
Shpesh gjatë muajve të fundit figura të rëndësishme të Bashkimit Europian kanë deklaruar se situata politike në vend do të ndikojë negativisht në marrjen e statusit të vendit kandidat, por sot pritet që komisioneri për zgjerimin të artikulojë qartë se çfarë rrezikon vendi nga mosmarrëveshjet politike.
Dy ditë më parë Komisioneri Füle kërkoi zgjidhjen e ngërçit politik para mbërritjes se tij në Tiranë; zgjidhje që duket ende e largët, pavarësisht seancës maratonë të parlamentit.
Në deklaratën e tij komisioneri për Zgjerimin iu bëri thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku në mënyrë që Shqipëria të çojë përpara reformat e duhura në të mirë të vetë qytetarëve të saj, si edhe në të mirë të aspiratave të saj evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›