Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi publikon broshura rreth historisë dhe kulturës rome në Evropë

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi do të publikojë çdo javë broshura rreth historisë dhe kulturës rome në Evropë.
Këto broshura publikohen duke u nisur nga dita e Holokaustit ndaj romëve në Evropë si dhe duke marrë shkas nga fakti që shoqëria shqiptare është akoma e painformuar për romët dhe si pasojë e këtij mosinformimi formohen paragjykimet dhe stereotipet, të cilat gjenerojnë sjellje diskriminuese dhe stigmatizimi kundrejt anëtarëve të këtij komuniteti.
KMD bën të ditur se këto broshura janë përgatitur nga ekspertë të Këshillit të Evropës në bashkëpunim me historianë evropianë dhe romë.
KMD gjithashtu i drejtohet dhe kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Sportit zbatimin e strategjisë dhe planit të veprimit për integrimin e romëve dhe egjiptianëve, në lidhje me përfshirjen e historisë dhe kulturës rome në kurrikulat shkollore.
KMD gjithashtu fton ndjekësit në leximin e këtyre broshurave dhe shpërndarjen e tyre sa më shumë në të gjitha ambientet ku munden.
/r.e/a.f/