E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionet e përhershme të Kuvendit të Shqipërisë zhvillojnë takim të përbashkët me Nënkomisionin për Marrëdhëniet Transatlantike të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Komisioni për Sigurinë Kombëtare dhe Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilluan sot një takim të përbashkët me Nënkomisionin për Marrëdhëniet Transatlantike në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Kryetari Sergio De Gregori dhe i përbërë nga përfaqësues të Italisë, Francës, Britanisë së Madhe, Spanjës, Portugalisë, Polonisë, etj.. Të pranishëm në këtë takim ishin kreu i Komisioni për Sigurinë Kombëtare, Leonard Demi, kreu i Komisionit për Politikën e Jashtme, Fatos Beja dhe Nënkryetarja e këtij Komisioni, Arta Dade, kreu i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ilir Rusmali, si dhe deputetë të tjerë, anëtarë të këtyre komisioneve. Kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, De Gregori shprehu admirim për interesin e treguar nga pala shqiptare për vizitën e këtij delegacioni në Tiranë, si dhe për panoramën e plotë të paraqitur mbi përpjekjet që Shqipëria po bën aktualisht për të arritur të gjitha standardet e kërkuara nga një vend anëtar i NATO-s.
Duke folur në emër të të gjithë anëtarëve të Nënkomisionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, zoti De Gregori vlerësoi progresin e madh që Shqipëria po bën drejt prespektivës së saj të integrimit, tashmë edhe në Bashkimin Europian.
Zoti De Gregori nënvizoi se kjo vizitë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, e para që zhvillohet në Tiranë që nga anëtarësimi i Shqipërisë në prill të vitit të kaluar, është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi prespektivën e zhvillimit të rajonit të Ballkanit dhe rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka në këtë proces. Nga ana e tij, kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, zoti Demi shprehu mirënjohje për mbështetjen që vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë Shqipërisë në vitet e kaluara për përpjekjet e saj drejt anëtarësimit.
Zoti Demi u shpreh se Shqipëria vazhdon të jetë aktive për të plotësuar të gjitha standardet që priten nga një vend anëtar i NATO-s. Në këtë kuadër, zoti Demi përmendi hapat konkretë që janë ndërmarrë veçanërisht në drejtim të modernizimit të Forcave të Armatosura, në drejtim të shkatërrimit të municioneve, etj.
Gjithashtu, kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, nënvizoi se Shqipëria ka zgjeruar marrëdhëniet e saj bilaterale me vendet e rajonit dhe përtej vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, Maqedonia dhe Kroacia, tashmë ekzistojnë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi edhe me Malin e Zi dhe Serbinë.
Takimi, i cili nga të gjithë u konsiderua si një dialog mes miqsh, vijoi me pyetje dhe diskutime në lidhje me përmirësimin e legjislacionit në kuadër të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, kontrollin parlamentar mbi Forcat e Armatosura, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, etj.


Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›