Komisioni Europian kërkoi sot nga vendet e Mesdheut një koordinim të qeverisjes detare
Komisioni Evropian paraqiti dje një strategji që ka për qëllim përballjen me sfida të ndryshme në basenin e Detit Mesdhe. Burime nga përfaqësia e KE-së në Tiranë bëjnë të ditur se "konkurrenca për hapësira detare, kërcënimet ndaj sigurisë detare, degradimi mjedisor dhe efektet e padëshiruara të ndryshimit të klimës, vënë në pah nevojën për një përgjigje më të koordinuar të qeverisjes detare në rajon, në bashkëpunim edhe me partnerët mesdhetarë që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian". Komisioneri Evropian për Çështjet Detare dhe Peshkimin, Joe Borg, theksoi me këtë rast se "zhvillimi i një procesi vendimarrës më të integruar në rajonin e Mesdheut me siguri do të jetë fitimprurës për të gjithë aktorët dhe administratat. Suksesi ynë për të siguruar një të ardhme të fortë dhe të qëndrueshme për industritë detare dhe ruajtjen e mjedisit detar në rajonin e Mesdheut do të varet nga fakti se sa do të përpiqemi ne të përmirësojmë qeverisjen detare në të gjitha aspektet e saj. Bashkimi Evropian duhet të punojë për një politikë më të integruar dhe përfshirëse jo vetëm për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por gjithashtu në partneritet me të gjithë fqinjët tanë". Që nga hartimi i Politikës së Integruar Detare në vitin 2007 janë zhvilluar dhe promovuar një numër projektesh që mund të asistojnë qeverisjen detare si, planifikimi detar hapsinor, për një përdorim më të mirë të hapësirës detare, menaxhimi i integruar i zonave bregdetare dhe ishujve dhe një konceptim më koherent i kufirit tokë-det, programi i 7-të Kuadër i Bashkimit Evropian si një mundësi madhore kërkimore ndër-tematike për Detin e Mesdheut, survejimi i integruar detar për ta bërë më të sigurt Detin Mesdhe etj.
...