"Climax" jep koncert në Durrës në koncertin e muzikës së dhomës
Artistët e rinj të ansamblit instrumental të frymës "Climax" nga qyteti i Lecces (Itali) intepretuan mbrëmjen e kaluar në Durrës një repertor të përzgjedhur me pjesë nga tradita sinfonike dhe operistike italiane. Koncerti i tre instrumentistëve italianë ishte pjesë e Festivalit të 4-t Ndërkombëtar të muzikës së dhomës që ka nisur prej dy javësh në qytetin bregdetar. Matteo Mazzota në oboe, Tonio Stifanelli në klarinetë dhe Dario Catanzano në fagot sollën në odeonin "Nikolin Xhoja" variacione mbi temat e operave të njohura të Giuseppe Verdit "Traviata", "Trovatore" dhe "Rigoleto", përgatitur nga kompozitori Emilio Grezzi. Por nuk munguan dhe variacionet e punuara dy shekuj më parë nga kompozitori Ludvig van Bet’hoven mbi temat e operas "Don Zhuani" të Moxartit. Tre instrumentistët Mazzotta, Stifanelli dhe Catanzano fituan admirimin e publikut, mes të cilëve dhe nxënës dhe mësues të shkollës artistike "Jan Kukuzeli" të Durrësit. Ansambli instrumental "Climax", i formuar në konservatorin "Tito Schipa" të Lecces (Itali) ka fituar disa çmime të rëndësishme në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Dy koncertet e para të Festivalit të muzikës së dhomës me protagonistë duete instrumentale në violinë dhe violonçel janë realizuar në hollin e Muzeut arkeologjik të qytetit, ndërsa pritet që dy koncertet e ardhshme të zhvillohen në hollin e pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu". Pas dy ditësh në skenë do të jetë Trioja instrumentale e artistëve austriakë Wolfgang David, Wolfgang Panhofer dhe Wallish Gottlieb, ndërsa më 16 shtator në mbrëmjen e fundit të këtij edicioni do të interpretojnë së bashku artistë shqiptarë dhe austriakë. Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës organizohet nga Shoqata "Arti dhe Kultura shqiptare" në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit.
...