Peticionet pseudomediatike që marrin përsipër të na tregojnë se cili është Kaini
Nuk besoj se them ndonjë gjë të re, po të theksoj këtu se një gjë është jo fort e lakmueshme për kombin tonë: mosgarantimi i të drejtave themelore të njeriut, të cilitdo qoftë me prirje Abeli, përballë atyre me prirje Kaini. Tingëllon e pabesueshme - dhe është vërtet aq e pabesueshme, saqë kohët e fundit po shfaqet në sipërfaqen e opinionit publik disa aksione fletë-rrufe kundër një qytetari, që nuk është i thjeshtë, por është kryetari i një partie politike. Në një anë të medaljes duhet shkruar se ne po tregojmë se kemi akoma relikte gjykimi të kulturës jakobine dhe në rrafshin tjetër ky kryqëzim i njerëzve publikë po bëhet në emër të një morali (dhe jo të etikës) nga njerëz që thonë se e kanë, por në të vërtetë nuk është se janë aq koherentë me vetveten. Në qendër të Temës është politikani Fatmir Mediu, i cili po kanalizon në figurën e tij politike të gjitha rrufetë dhe fletë-rrufetë e njerëzve të veshur me petkun e shfarosësit mediatik. Ky peticion është një nismë që e vendos median në rolin e killerazhit të figurave politike në vend. Të kuptohemi, ne nuk jemi as avokatë, as kadinj, bile as këto radhë nuk janë për të gjykuar nëse Ai është përgjegjës juridikisht për akuza që i lëshohen nga organi i akuzës. Por, për dijeni të qytetarëve dhe të mediave, për Kushtetutën tonë, dhe të të gjitha simotrave të tjera (demokratike, të kuptohemi), një njeri deri në sentencën e fundit, është i pafajshëm. Kurse, në çdo rast, Mediu është i dënuar: nga kamerat televizive, nga titujt e gazetave, nga peticionet e analistëve e komentatorëve. Unë besoj, për besim dhe karakter personal, në mirësinë njerëzve: dhe midis komshive të mi fus edhe ata që administrojnë drejtësinë. Por pyes në qoftë se Mediu është i pafajshëm, kush do të riparojë dëmin? Nëse Mediu është fajësuar pa shkuar në gjykatë kjo është kulturë jakobine, po aq e dashur nga diktaturat totalitare. Apo mos ndoshta - si për t’u shfajësuar - do të bëjmë një tjetër peticion pro Mediut? Jo figurën e “vip-it” politik, por poshtërimin e njeriut? Në këtë Republikën e Shqipërisë, ku shqiptarët janë qytetarë të denjë, ka edhe të tjerë që marrin pozat e apostujve të virtytit, por në të vërtetë duhet të ulen e të mendojnë për para se të firmosin peticione, kontrata, kambiale me djallin apo kundra djallit. Emri i Fatmir Mediut mund ta marrim me mend se nuk sjell ndonjë simpati të veçantë, as adhurohet deri në shkulje flokësh, sepse janë fansa të politikës së tij. Veçse ka një problem politik që është njëkohësisht edhe demokratik: janë plot 34 mijë qytetarë që e kanë rikonfirmuar përsëri politikisht. Bonsensi mbetet diçka tjetër. Duke firmosur peticione të morali politik kundër kryetarit të republikanëve, peticioni shkon automatikisht kundër 30 mijë votuesve shqiptarë. Këta kanë votuar për këtë politikan edhe pas Gërdecit sepse kanë arsyet e tyre, që nuk janë më të vogla se ato që i bëjnë peticione kundër. Afërmendsh për korrektësi duhet thënë se ka një pjesë të shoqërisë shqiptare që Fatmir Mediun nuk e pëlqen. Kuptohet se përse: Ai ishte Ministri i Mbrojtjes gjatë tragjedisë së Gërdecit, ku forcat e së keqes bënë kërdinë në njerëz e pasuri. Në ëndrrën e keqe të asaj dite, Shqipëria qe zgjuar nga një buçimë predhash dhe komandanti moral i këtyre forcave - sipas mediave - qe bërë Mediu. Duhet të dimë se prezumimi i pafajësisë është ai parim që e lejon njeriun të jetë i lirë të ushtrojë vullnetin e tij profesional, gjersa gjykata në bazë të provave apo mosprovave të deklarojë verdiktin po ligjor. Është parim madhor që e kanë vetëm në vendet ku sundon shteti ligjor dhe ka lindur nga vullneti që një qytetari të mos i mohohen të drejtat e tij themelore, ndër të cilat e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur është substanciale. Nëse jemi një vend ku nuk mbizotëron ligji mund të firmoset ai peticion. Por këtyre që firmosin pa mëtuar, pa sjellë në memorie momente që s’e kanë bërë detyrën e rojtarëve të shëndetit publik, nuk u falet kjo shkarje emocionale, që është e frikshme për nga rëndësia. Të pyesim njëherë veten se kur është bërë media të diktojë Kryeministrin për zgjedhjen e ministrave... Dihet ashiqare se ky i fundit do t’u përmbahet vetëm parlamentit të zgjedhur me vota e qytetarëve, kurse analistë, komentatorët, jakobinët janë deus ex machina në tribunat e tyre. Pesë vjet më parë kishim një tragjedi të përafërt për nga humbja e jetëve dhe përgjegjësia ishte thellësisht shtetërore. Ku shkoi kujtesa e këtyre tragjedive? Ku ishin analistët, komentatorët, intelektualët? Apo akoma nuk kishin lindur mendërisht? Pse nuk u bë një peticion kundër ministrit të brendshëm apo të mbrojtjes, të cilëve as nuk u shkoi ndërmend të jepnin dorëheqjen? Bile Kryeministri Nano u shfaq me arrogancë nëpër buzuqet e Greqisë, duke na thënë qartazi se nuk e vinte ujin në zjarr. Pse nuk e dha atëherë dorëheqjen ministri i Transporteve dhe ai i Brendshëm, siç bëri para disa ditësh Ministri maqedonas duke i marrë përgjegjësitë për atë çka ndodhi në liqenin e Ohrit, ku humbën jetën 20 persona? Përgjegjësitë ligjore mund dhe duhet t’i përcaktojë vetëm drejtësia. Duke parë shpejt e me seriozitet përgjegjësitë politike - dhe kaq kërkon një shoqëri e lirë nga të zgjedhurit e vet demokratikisht - Fatmir Mediu vendosi një standard të munguar në politikën tonë, asokohe. Ndërsa u ka humbur memoria, disa prej tyre e përdorin moralin e peticionit si një armë më shumë kundër qeverisë, për ta vënë atë në vështirësi, duke e drejtuar gishtin ndaj Mediut si përgjegjës ligjor të Gërdecit, duke ia marrë bukën për goje drejtësisë. Si gjithmonë ata thonë se e bëjnë në emër të morali të popullit e të shëndetit politik e shoqëror, që u rrezikuaka vetëm kinse nga Mediu. Ky është kaini për ta dhe për këtë duhet gjykuar e linçuar mediatikisht, për t’i bërë një ekzorcizëm të fajit. Disa prej tyre, për t’u faktorizuar në një kope ku ka brenda analistë botërorë politikash lagjeje, luftojnë për kauza të mëdha morali, kur nuk shqetësohen aspak për plehrat që u zënë derën... . Kampioni i inkoherencës dihet se kush është, Mero Baze dora vetë, i cili shkroi një ditë para shpalljes së qeverisë shkrimin “Një kabinet për të mbrojtur të shkuarën”, ku gjatë radhëve të has syri tek një frazë që është tekstualisht kështu: “Fatmir Mediu, të cilit Berisha ia uli pazarin dhe duke stimuluar peticione publike kundër tij, është tashmë në kabinet”. Pra do të thotë se linçimi mediatik qenka nisur nga zyra e kryeministrit. Absurditete të tilla janë të atyre personazheve që krijojnë ad hoc diversione shantazhi në emër të moralit popullor, duke u vetëshpallur tribunë të plebenjve gërdecarë. Më e rënda nga vërtetimi i Bazes është se tani - kështu i bie fiks - Berisha stimuloka peticione, duke marrë në telefon Mustafa Nanon, Skëndër Minxhozin, Fatos Lubonjën, Lufti Dervishin, bile edhe vetë Meron (peticioni një ditë më parë ishte editorial tek Tema), që të firmosin një letër ku thuhet se për moral Fatmir Mediu të mos jetë ministër. Më duket vërtetë absurde të jetë e vërtetë. Po qe e vërtetë, jam gati të jem kamikaz.
...