E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Evropian do të monitorojë zgjedhjet në Kosovë

Renzo Davidi, shef i zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, ia konfirmoi sot këtë fakt kryeministrit Hashim Thaçi. Pas takimit me Thaçin, Davidi deklaroi se pas pranimit të kërkesës nga qeveria ne kemi marrë vendim që të sjellim një mision i cili do të monitorojë tërë procesin zgjedhor.

“Ne jemi të gatshëm të sjellim misionin i cili do të raportojë dhe vlerësojë mënyrën se si do të zhvillohet procesi zgjedhor, në raundin e parë dhe në raundin e dytë. Ata do të punojnë më shumë në analizat se si po shkon procesi zgjedhor, punën e institucioneve dhe rezultatin zgjedhor”, theksoi Davidi.

Ai bëri të ditur gjithashtu se misioni nuk do të ketë të drejtë të certifikojë zgjedhjet sepse ka vetëm karakter teknik.

Në anën tjetër kryeministri Thaçi tha se ndihet i lumtur që Brukseli do të dërgojë mision për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë. Sipas Thaçit, qeveria është e vendosur që zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur të jenë të organizuara sa më mirë.

Misioni vëzhgues evropian do të përbëhet nga 3 persona, ndërkohë që më vonë do ketë edhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian dhe të trupit diplomatik.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›