Komisioni Evropian, hetim kompanisë CEZ
Kompania CEZ, që operon në tregun e energjisë është nën hetim nga Komisioni Evropian për shkelje të konkurrencës. Komisioni Evropian lajmëroi se në datën 24 nëntor ka kryer një kontroll në selinë qendrore të kompanisë çeke të energjisë, ÇEZ, pas dyshimeve se ajo mund të jetë përfshirë në praktika të paligjshme, me synim nxjerrjen e rivalëve jashtë tregut. CEZ, kompania më e madhe energjetike në Evropën Lindore, dyshohet se ka përdorur fuqinë e saj financiare për të nxjerrë nga tregu konkurrentët e tjerë dhe duke se ka rritur artificialisht çmimet e energjisë në tregun çek. Hetimi mund të zgjasë disa muaj dhe nëse ekspertet e Komisionit Evropian do të arrijnë të provojnë dyshimet e ngritura, kompania çeke rrezikon një gjobë, e cila mund të arrijë deri në 1.8 miliard dollarë.
Kompania CEZ prej më shumë se një viti operon dhe në Shqipëri, pasi ajo është pronarja e OSSH-së, pas privatizimit të saj. Në njoftimin zyrtar, ekspertët e Komisionit Evropian lajmëruan se kontrolli i befasishëm është realizuar pas akuzave të kompanive rivale për shkelje të rregullave të konkurrencës dhe rritje artificiale të çmimeve të energjisë elektrike në vend, por edhe në tregjet rajonale.