E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Kryesia e PD-së në garë për të ruajtur postet



E gjithë anëtarësia aktuale e Kryesisë së PD-së do të rikandidojë sërish në zgjedhjet kuvendore të partisë me datën 14 dhjetor për të ruajtur postet që iu besuan para 4 vitesh. Secili prej 27 anëtarëve të forumit më të lartë të partisë në pushtet do të synojë mosdaljen nga lista aktuale. Por, burime brenda PD-së bëjnë të ditur se në këtë garë do të futen dhe shumë emra të rinj nga grupi aktual parlamentar i PD-së. Aktualisht, i vetmi që ka deklaruar publikisht për hyrjen në këtë garë, është deputeti dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ndërkohë që nuk përjashtohet as mundësia e konkurrimit të kolegëve të tjerë deputetë për të kaluar provën e Këshillit Kombëtar në zgjedhjet e kuvendit të 9-të. Lista aktuale e Kryesisë përbëhet nga drejtuesit e PD-së: Berisha, Topalli, Patozi, Bode, Basha, Bumçi, Olldashi, Bano, Beja, Ruli, Paloka, Nishani, Bregu, Rusmali, Gjana, Demi, Spaho, Hasekiu, Dibra, Qirjako, Shamata, Cikuli, Biberaj, Bogdani, Stringa, Vokshi dhe Bano. Të gjithë këta emra, plus shumë të tjerë, do të jenë sërish në garën e 14 dhjetorit. Kryesia e Partisë Demokratike në mbledhjen e fundit të saj vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar Zgjedhor, fillimisht me datë 12 dhjetor, por për shkak të vizitës në Vatikan të liderit Sali berisha, ku do të takohet me Papa Benediktin e 16-të, do të mblidhet të hënën e 14 dhjetorit. Ky Kuvend Kombëtar Zgjedhor do të jetë akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit si dhe i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në kuvendet e degëve. Këto analiza do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale për të mënjanuar defektet e mundshme të vërejtura në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryesia e Partisë Demokratike në plotësim të detyrimeve statutore vendosi ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë nën drejtimin e nënkryetarit të PD-së, z. Astrit Patozi, si dhe të Komisionit për Rishikimin e Statutit të kryesuar nga sekretari i përgjithshëm, z. Ridvan Bode. Kryesia e Partisë Demokratike ka bindjen e plotë se ky proces zgjedhor do të fuqizojë më tej Partinë Demokratike në të gjitha nivelet dhe përbën një moment të rëndësishëm të bazës elektorale dhe përfaqësimit publik të Partisë Demokratike.

Statuti i PD-së

Kryesia e Partisë

Neni 42

Kryesia e Partisë përbëhet nga:

a. Kryetari dhe nënkryetari (nënkryetarët) i Partisë;

b. Sekretari i përgjithshëm;

c. Kryeministri, Kryetari i Parlamentit që i përkasin Partisë Demokratike;

d. Kryetari i bordit financiar (Trezorieri i partisë);

e. Kryetari i grupit parlamentar të PD në Kuvend;

f. Kryetarët e organizatave partnere;

g. njëzetepesë anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme. Numri i zonjave fituese të mos jetë më pak se 25%. Në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja.

Mandati i anëtarëve të kryesisë është katër vjeçar.

Kompetencat e Kryesisë

Neni 43

1- Kryesia e PDSH-së angazhohet në zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi e Këshilli Kombëtar. Ajo përgatit projekte programesh, platformash dhe çdo kërkese tjetër që i paraqiten forumeve në emër të saj. Për këtë qëllim Kryesia e PDSH-së mund të ngrejë grupe pune.

2- Kryesia ka të drejtën e ndërhyrjes dhe refuzimit të kandidaturave të përzgjedhura nga organet lokale të Partisë. Ajo i propozon Këshillit Kombëtar kandidaturat për përfaqësuesit e saj në postet e larta të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.

3- Kryesia, me propozim të Kryetarit, emëron koordinatorët tematikë të Komitetit të Orientimit të Politikave.

4- Kryesia ka të drejtë të vendosë për thirrjen e Kuvendit për zgjedhje të reja të nëndegës së Partisë dhe caktimin e organeve drejtuese të përkohshëm të degës në përputhje me Nenin 36.

5- Kryesia emëron sekretarin e degës/nëndegës.

6- Cakton kriteret e përfaqësimit brenda strukturave të PDSH, seleksionon kandidaturat e vendos për to në përputhje me kërkesat e këtij Statuti.

7- Miraton anëtarët e Bordit Financiar.

8- Miraton strukturën organike të PDSH-së dhe atë të pagave.

Vendimet në kryesi merren me shumicë të thjeshtë të votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të kryesisë. Në rast mos sigurimit të kuorumit mbledhja vijuese e saj për të njëjtin rend dite zhvillohet pavarësisht nga prezenca e Kryesisë ka të drejtë t’i adresohet, veç secili prej anëtarëve të saj, edhe çdo kryesi dege, grup dege, organizatë partnere.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›