Komisioni Evropian miraton heqjen e vizave për Shqipërinë

Procedurat deri në heqjen e vizave. Basha: Heqja e vizave do të bëhet brenda nëntorit të këtij viti. Pas rekomandimit të Kolegjit të komisionerëve, çështja e vizave do të diskutohet në samitin e Sarajevës më 3 qershor, për të vijuar më tej me votimin në Parlamentin Evropian dhe miratimin përfundimtar nga ana e Këshillit të Ministrave të BE, procedurë kjo që sipas axhendës së Brukselit, pritet të finalizohet brenda muajit tetor
Kolegji i Komisionerëve miratoi sot pa diskutime rekomandimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Ky rekomandim është pozitiv, por i kushtëzuar me përmbushjen e kritereve të mbetura nga të dy vendet e prapambetura të rajonit për këtë proces. Për heqjen e regjimit të vizave, Shqipërisë i kërkohet strategji për riintegrimin e të riatdhesuarëve, zbatim efikas i kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, e po kështu zbatim efikas të ligjit të ri për konfiskimin e aseteve kriminale. Rekomandimi i Komisionit u miratua sipas “procedurës së shkruar” dhe hyn në fuqi të enjten në orën 12:00 ku pritet të këtë dhe një konferencë për shtyp. Heqja e vizave për qytetarët shqiptare tashmë duket se është e afërt. Ndërkaq çështja e vizave do të jetë edhe në axhendën e ministrave të brendshëm të BE-së takimi i të cilëve do të zhvillohet në datat 3-4 qershor. Kështu lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë në zonën “Schengen” tashmë ka nevojë për votën e Parlamentit Europian dhe për miratimin e këshillit të ministrave. Burime pranë qeverisë konfirmojnë se pritshmëria më e madhe për vendimin përfundimtar për heqjen e vizave pritet të vijë në vjeshtë, kjo edhe për shkak të axhendës së Brukselit.
Basha: Heqja e vizave do të bëhet brenda nëntorit të këtij viti/Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ka deklaruar se heqja e vizave për Shqipërinë, do të jetë e mundur në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit të këtij viti. Ministri Basha ka deklaruar gjithashtu se hapat që Shqipëria ka bërë në luftën kundër korrupsionit, sigurisë së kufijve dhe më kryesorja e sigurisë së mjeteve të identitetit, kanë bërë që rekomandimi i prezantuar në Kolegjin e e Komisionerëve Europianë, të votohet në favor të heqjes së regjimit të vizave afat shkurtëra me Shqipërinë.
Procedurat deri në heqjen e vizave/ Liberalizimi i vizave në vendet e Bashkimit Europian për shtetasit shqiptarë, që posedojnë pasaporta biometrike do të shpallet zyrtarisht në vjeshtën e këtij viti. Në fund të tetorit me botimin në Fletoren Zyrtare do të marrë fuqi ekzekutuese çka do të thotë se kjo është dhe data më e mundshme kur shqiptarët do të dalin lirisht për në vendet e BE. Në bazë të datave të shpallura në axhendën e institucioneve europiane, pritet që pas prezantimit të rekomandimit për liberalizimin e vizave në Kolegjin e Komisionereve Europianë dhe më pas në Parlamentin Europian procedura të vazhdojë me përgatitjen e propozimit të Komisionit për shpalljen publikisht në Samitin e Ministrave të Jashtëm BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Sarajevë më 2 qershor 2010. Sipas gjasave, jashtë procedurës legjislative, pritet që gjatë qershorit gjatë takimeve të parashikuara përkatësisht Ministrat e Brendshëm dhe Ministrat e Jashtëm, mund të mbështesin politikisht procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Me marrjen e dritës jeshile nga Komisioni, Parlamenti Europian do të përgatisë vendimin përpara pushimeve të gushtit, për ta diskutuar në komisionet përkatëse, ai i Brendshëm LIBE dhe ai i Jashtëm AFET dhe miratuar në sesion plenar gjatë muajit shtator. Më pas pritet që Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të marrë vendimin gjatë takimit të datave 7 dhe 8 tetor 2010. Kjo do të bëjë të mundur që regjimi i liberalizuar i vizave për Shqipërinë të bëhet realitet pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE, në fund të muajit tetor 2010, data maksimale 31 tetor 2010 gjatë Presidencës Belge të Bashkimit Europian
...