Berisha: S’ka ultimatume për një vend që ka zhvilluar zgjedhjet më të lira në histori

Kryeministri Berisha hedh poshtë komentet mediatike se Strasburgu i ka dhënë ultimatum Shqipërisë për kapërcimin e ngërçit politik
Kreu i qeverisë Sali Berisha bëri të ditur sot para anëtarëve të kabinetit qeverisës në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave, se nga darka e Strasburgut, palës shqiptare nuk i është dhënë asnjë ultimatum nga ndërkombëtarët. Duke komentuar edhe njëherë darkën e Strasburgut, kryeministri Berisha tha se takimi ishte konstruktiv dhe se ka mbizotëruar fryma e përbashkët, për zgjidhje të situatës politike në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. “Ju garantoj se nuk ka pasur asnjë ultimatum. Një procesi zgjedhor të ndershëm, nuk mund të imagjinojë kush të japë ultimatume. çdo interpretim i kësaj natyre, është primitiv. Ne jemi qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet më të mira në historinë e vendit”- u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri tha gjithashtu se është i gatshëm të shkojë në një takim të ngjashëm në çdo moment. “Takimi në Strasburg ishte qartësisht pozitiv. Ishin miq të Shqipërisë që me preokupimin pozitiv më ftuan mua dhe zotin Rama për të shqyrtuar problematikën. Shkova, shkoj dhe do shkoj pa asnjë problem. Kundërshtarin nuk e marr për armik. Rruga më e papranueshme në rrafshin politik është ta marrësh kundërshtarin si armik”, shtoi ai. Berisha ka vlerësuar më tej në mbledhjen e qeverisë, dhënien e çmimit të dytë nga OKB për administratën shqiptare për prokurimet elektronike. “Ky çmim vjen si rezultat i vlerësimit shumë pozitiv të procesit elektronik të prokurimeve në Shqipëri”, tha Berisha. Sipas Berishës, me prokurimin 100% elektronik është bërë përmirësim i dukshëm në performancën e administratës së vendit. Kreu i qeverisë ka falenderuar punonjësit e administratës dhe autoritetet kontraktuese të vendit që morën trajnimin me seriozitet dhe u adaptuan me një praktikë elektronike të prokurimit.
...