E Enjte, 5 Nëntor 2026

Komisioni Hetimor “Tims”, debate për publikimin e deklaratave të dëshmitarëve

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Komisionit Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, po zhvillon sot seancën e radhës në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Në rendin e ditës janë 6 seanca dëgjimore me dëshmitarë të votuar nga komisioni hetimor për t’u marrë në pyetje lidhur me çështjen.

Në nisje të seancës, Kryetari i Komisionit Hetimor, deputeti i PD-së, Ervin Salianji u shpreh se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë opozitës për sa i takon mënyrës se si funksionojnë Komisionet Hetimore.

Më tej, Salianji tha se mazhoranca ka qenë në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës për një seri vendimesh të marra gjatë punimeve në komision.

“Jeni në anti-kushtetutshmëri. Edhe mbledhjet e mbyllura që janë bërë me demek se kishte sekret hetimor, kanë qenë në shkelje të ligjit. Ose duhet të zbardhen procesverbalet, ose duhen ribërë takimet”, tha Salianji.

Nënkryetari i Komisionit Hetimor, deputeti i PS-së, Toni Gogu, në përgjigje të deklaratës së deputetit Salianji u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetues duhet të lexohet drejt dhe duhet të kalojë përmes rregullores së Kuvendit.

“Ju po kërkoni të bëni politikë me atë vendim. Ju doni t’i vini shosh paligjshmërisë që kemi parë në këtë komision”, tha Gogu.

“Duke u kthyer tek pretendimet tuaja, ky komisioni ka zbatuar ligjet në fuqi dhe standardet për të cilat Gjykata Kushtetuese ka folur. Por në momentin kur dëshmitarët deklarojnë se informacioni që disponojnë dhe paraqesin në këtë komision, plotëson ato kritere dhe cënon jetën profesionale apo individuale të njerëzve, patjetër që ne do të marrim vendimin, sipas kompetencave që jep ligji. Ja lëmë Këshillit të Legjislacionit të vlerësojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do jetë ai këshill që do të vendosi si do të veprohet”, tha Gogu.

“Nëse ligji do të ishte antikushtetues, do të ishte shfuqizuar i gjithi, por ligji është në fuqi”, tha Gogu.

Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, pati një kërkesë procedurale për shtyrjen e afateve të Komisionit Hetimor.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet duke rimarrë në pyetje dëshmitarët apo duke i hapur procesverbalet e dëshmive për publikun.

Pas më shumë se dy orësh debatesh, Komisioni Hetimor nisi marrjen e dëshmive sipas rendit të ditës.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, në dëshminë e tij tha se informacionet mbi rrjedhjen e të dhënave personale nga sistemi “Tims” janë bërë publike në media. “Ne si institucion kemi kryer punën dhe funksionet tona. Ne si institucion kemi detyrë monitorimin, mbikëqyrjen e rasteve, duke marrë dhe masat përkatëse. Në faqen e Komisionerit ka të publikuar një vendimmarrje për çdo situatë apo e dhënë personale që është denoncuar që ka dalë dhe është cenuar. Ne i jemi drejtuar prokurorisë dhe për shkak të hetimit penal që po ndiqej nuk na është dhënë informacion nga prokuroria dhe kjo është procedurë normale. Ne informacionin e kemi nga media. Ska patur denoncime konkrete në institucion. ”, tha Dervishi.

Zhvillimi i seancave dëgjimore me dëshmitarët si vijon: 

1. Ora 10:00 – Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale

2. Ora 11:00 – Genti Gazheli, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave

3. Ora 12:00 – Edmond Rrushi, Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

4. Ora 13:00 – Luneda Sufali, Kryeinspektore e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor

5. Ora 14:00 – Ardian Bali, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;

6. Ora 15:00 – Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›