Rama: Vijojnë punimet për rindërtimin e shkollës “Benardina Qerraxhia” në Durrës

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Ndërtimi i shkollës së mesme sportive “Benardina Qerraxhia” dhe konviktit të saj në qytetin e Durrësit po ecën me ritme të mira.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga punimet që po kryhen në këtë shkollë, e cila do të ofrojë mjedise me kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit.
“Po ecin me ritme të mira punimet për ndërtimin e shkollës së mesme sportive “Benardina Qerraxhia” në Durrës, si dhe të konviktit të kësaj shkolle, të cilat do të kenë kushte dhe standarde bashkëkohore për 250 nxënës të shkollës dhe stafin pedagogjik”, tha Rama.
Rindërtimi përfshin 16 klasa moderne, 2 laboratorë të pajisur me teknologji bashkëkohore, një fushë sportive të jashtme, një palestër të brendshme, si dhe dhoma të shërbimeve mjekësore dhe psikologjike. Përveç këtyre, është rindërtuar edhe konvikti i shkollës, duke ofruar kushte më të mira për nxënësit që jetojnë aty.
Ndërtimi i shkollës së re dhe i konviktit po realizohet falë programit EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.
Punimet për rikonstruksionin e shkollës u inspektuan dje nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.
1 nga 9/k.s/