Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit miraton projektligjin për të Drejtën e Kalimit.
Ministri Pollo: "Projektligji do të zhdukë rrjetet e merimangave të telave nëpër qytete"
Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit miratoi sot projektligjin “Për të drejtën e kalimit në pronë të shtetit dhe private, për ndërtimin e rrjetit të komunikimeve elektronike” (ose projektligji për Rights of Way). Për të prezantuar këtë projektligj i pranishëm në mbledhjen e Komisionit ishte Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Z. Genc Pollo.
Gjatë prezantimit Ministri Pollo tha ndër të tjera: “Nëse ecni nëpër Tiranë dhe kaloni në lagje nga më të ndryshmet, ngrini kokën dhe do të shihni pezhishka merimangash, jo vetëm nga telat e korrentit, por edhe nga rrjete të ndryshme, të ndërtuara nga kompani të ndryshme, të cilat janë vendosur në mënyrë krejt të çrregullt, duke dhënë përshtypjen e çrregullit dhe të kaosit. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe ky ligj parashikon rregullat, kompetencat, organet dhe procedurat e këtyre organeve, në mënyrë që çdo investitor në fushën e komunikimeve elektronike, që synon të ndërtojë rrjete, ta ketë të qartë se çfarë duhet të bëjë dhe në rast se vepron në përputhje me këtë ligj, ta ketë të qartë se është edhe i mbrojtur në investimin e tij. Është një ligj që ka munguar prej shumë kohësh. Është një zhvillim i rëndësishëm i konceptit të servitutit ligjor, i parashikuar në Kodin Civil, është një ligj që mendoj se do të pasohet nga ligje të tjerë të ngjashëm, në fushën e elektroenergjetikës, të naftës, të gazit, të furnizimit me ujë, etj. Gjithashtu ky ligj përbën një hap më tej në fushën e decentralizimit, pasi i jep një pjesë të kompetencave Pushtetit Vendor dhe disa raste të parashikuara nga ligji, do të jenë qarqet, bashkitë dhe komunat ato që do të japin leje për ndërtimin e rrjeteve. Por, siç parashikohet në ligj do të ketë edhe një autoritet rregullator qendror, i ngritur te Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), i njohur për ju, i cili do të japë lejet e një rëndësie kombëtare.”
Projektligji përbëhet nga 11 krerë, ku krahas dispozitave të përgjithshme dhe atyre të fundit, trajtohen vijimësisht çështje që lidhen me krijimin e servitutit ligjor, autoritetin rregullator, të drejtën e kalimit në prona të shtetit, të drejtën e kalimit në prona private, të drejta dhe detyrime të tjera që lidhen me ushtrimin e së drejtës së kalimit, përdorimin e përbashkët, sistemin e përqendruar të informacionit, regjistrimin e së drejtës së kalimit, tarifat si dhe ankimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Zhvillimi domethënës i viteve të fundit në fushën e komunikimeve elektronike i shoqëruar me prioritetin e Qeverisë Shqiptare për “Shqipërinë Dixhitale”, sjell nevojën e përmirësimeve në kuadrin rregullator të kësaj fushe. Në fokus të veçantë të këtyre përmirësimeve është sigurimi i infrastrukturës së nevojshme që t’i përgjigjet zhvillimeve të kohës, por edhe ndjekja e hapave të Bashkimit Evropian në këtë fushë. Objektivat strategjikë dhe vizioni i Qeverisë Shqiptare për të mbështetur zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimeve janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013.
31/01/2011