E Enjte, 5 Nëntor 2026

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miraton ndryshimet në ligjin “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur”.

P/ligji, sipas ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj synon adresimin e problematikave të regjimit fiskal për operacionet hidrokarbure, duke i siguruar më shumë përfitim shtetit nga burimet e saj hidrokarbure, njëkohësisht pa dekurajuar investitorët.

Denaj tha se p/ligji, ka ardhur pas një konsultimi me një grupi teknik nga departamenti i çështjeve fiskale në FMN.

Marrëveshjet hidrokarbure janë arritur mbi baza jouniforme dhe kjo ka krijuar çështje të vështira ndërlidhjeje ndërmjet marrëveshjeve dhe legjislacionit fiskal ekzistues.

P/ligji tha Denaj, adreson pikërisht këto çështje, duke i dhënë përparësi ligjit dhe më pas marrëveshjeve. Njëkohësisht qartëson operacionet hidrokarbure dhe operacionet që zhvillohen nga nënkontraktorët.

Sistemi ekzistues është i një natyre hibride përmes së cilës taksa vendoset nga ligji, por ligji për të vendosur bazën e taksës mbështetet kryesisht në marrëveshjet hidrokarbure.

“Qartëson shumë më mirë dhe për një afat më të gjatë kohe edhe për operatorët e rinj që mund të hyjnë në treg në këtë sektor regjimin fiskal. Njëkohësisht ne kemi dashur që të reduktojmë shmangien e tatimeve dhe taksave”, deklaroi Denaj

Po ashtu, bëri të ditur ministrja, fitimi i tatueshëm nga një operacion i veçantë hidrokarbur për një periudhë tatimore llogaritet duke zbritur nga të ardhurat e kësaj periudhe nga ky operacion shpenzimet e zbritshme të këtij operacioni për këtë periudhë dhe humbjet e lejuara nga operacioni, të mbartura nga periudhat e mëparshme. Por shtoi ajo, shumat lejohet të zbriten me kushtin që zbritja të mos kalojë 85% të të ardhurave nga ky operacion për këtë periudhë.

Ligji përcakton se administrata tatimore duhet të zbatojë dhe të administrojë kuadrin ligjor fiskal, pa marrë parasysh marrëveshjet hidrokarbure.

Për marrëveshjet hidrokarbure që tashmë janë nënshkruar në p/ligj përcaktohet se administrata tatimore do të zbatojë legjislacionin fiskal, pasi merr në konsideratë çdo mbrojtje specifike apo përjashtim fiskal të parashikuar në marrëveshje.

Ky ligj zbatohet për personat juridikë që kryejnë operacione hidrokarbure në
tokë (onshore)./ATSH/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›