E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me pushime, puna nis në shtator

Situata Gushti “ngrin” fletët e votimit në magazinat e ruajtjes

Përgjigjen e munguar të politikës për kauzën e transparencës e japin institucionet. Pikëpyetjet e negociatave dhe finalizimi i tyre si temë debati të përditshëm politik, kanë gjetur një afat të ri te regjimi i ndryshuar i punës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Me një urdhër të brendshëm, kreu i këtij institucioni, Arben Ristani, i ka lejuar administratës të drejtën e pushimeve të plota gjatë muajit gusht, çka bën me dije se akti i asgjësimit të fletëve të votimit nuk do të ndodhë përpara muajit shtator. Edhe pse dekreti i Presidentit për datën e zgjedhjeve ende nuk është firmosur, pezullimi i punës nga administrata e KQZ dhe largimi i anëtarëve të tij për pushime edhe si e tillë, jep një mesazh politik. Urdhri është shoqëruar me detyrimin për t’u paraqitur në punë në datën 1 shtator, muaj në të cilin administrata e KQZ, sikurse bëhet e ditur, nuk do të ketë të drejtën e konsumimit të pushimeve apo lejes. Ky ritëm i përshtatur pune zgjidh debatin e nxehur kohë më parë për djegien e fletëve të votimit, të cilat për të përdorur një term që fiton kuptim paradoksal, janë ‘ngrirë” kësaj radhe nga përfaqësuesit e djathtë. Konteksti problematik i krijuar nga politika për sa i përket negociatave gjen një përgjigje konkrete, e cila edhe pse varet nga akti i kreut të shtetit në vetvete, sinjalizon edhe vullnetin e shumicës së djathtë për të shtyrë më tej këtë çështje. Prezenca në KQZ e nëpunësve të administratës është aktualisht në kuotën minimale dhe kjo i jep një “siguri” shtesë opozitës për fatin e administrimit të fletëve të votimit, ku strehohet e vërteta e shumëkërkuar e 28 qershorit. Mes dy partive që negociojnë dhe japin propozime të reja, mes një debati që vijon ende të riprodhojë të njëjtat dilema që kanë humbur peshën e vet, institucioni që mbikëqyr zgjedhjet në Shqipëri, ka ulur gatishmërinë, duke e bërë djegien një veprim të pamundshëm për arsye logjistike. Nga vendimi për djegien e fletëve e deri në kryerjen konkrete të këtij akti qëndron një praktikë dhe procedurë e hollësishme, që kërkon angazhimin e plotë të institucionit dhe që për herë të parë ka gjasë të monitorohet deri në detaje. Paradoksalisht do të jetë dekreti i Presidentit ai që do të hapë procesin e zbatimit të nenit 178, pika 6, e cila sipas interpretimeve të shumicës, çon në arkivim të materialit zgjedhor dhe asgjësim të fletëve. Si i tillë, dekreti është paranteza e debatit që pritet të zhvillohet në KQZ, i cili do të duhet të koncentrojë një zhvillim politik shumë të gjerë në vendime që kanë si mbështetje të vetme dispozitat e Kodit Zgjedhor. Dilemat e pafundme të negociatave që kanë shoqëruar të gjithë këtë vit politik po kufizohen gradualisht drejt axhendës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pushimi i të cilit në muajin gusht, më së shumti ka shërbyer për të kuptuar klimën e sezonit të ri që nis në muajin shtator.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›