Ambasadorët mbeten të bllokuar në Presidencë

Të paktën dy dekrete të munguara të Presidentit të Republikës vijojnë të mbajnë ende të pazbardhur perspektivën e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në selinë e OSBE-së në Vjenë. Rreth një muaj nga diskutimet e mbyllura në Komisionin Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, zyra e kreut të shtetit e ka ‘zgjidhur’ vetëm pjesërisht çështjen e diplomatëve të emëruar, të cilët gjithsesi do të duhet të presin ende për të marrë detyrën. Kështu, deri më tani, kandidaturat që kanë marrë firmën e Bamir Topit janë Arben Cici në Danimarkë, Agim Isaku në Bratislavë, Vili Minarolli në Vjenë dhe Dashnor Dervishi në Greqi, i cili i ka paraqitur para pak javësh letrat kredenciale Presidentit grek, Karolios Papulias.
Në pritje për firmën e kreut të shtetit duket se janë disa emra që kanë marrë miratimin përkatës në Komisionin Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë ku është zhvilluar seanca dëgjimore. Kështu, kandidati për në ambasadën e hapur rishtas në Belgjikë, Ilir Tepelena, Flamur Gashi për në Bosnjë-Hercegovinë, Behar Bejko i propozuar për në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kastriot Robo për në Spanjë, Mira Hoxha e propozuar për në Hungari, si dhe Elvira Isufaj për në çeki. I gjithë ky kuadër do të presë procedurat e marrjes së detyrës pas zyrtarizmit të dekretit presidencial, që me sa duket do të bëhet prezent në muajin shtator. Një gjë e tillë vjen edhe për shkak se ligji apo Kushtetuta nuk e detyron kreun e shtetit që të shprehet për këtë çështje në afate të përcaktuara, çka i jep atij të drejtën për të firmosur në çdo kohë. Në pikëpamje politike me rëndësi është ‘pezullimi’ i dekretimit të dy emrave që edhe më parë kanë krijuar një pështjellim në skenën politike. Spiro Koçi dhe Gilbert Galanxhi, respektivisht kandidatura për në selinë e OSBE në Vjenë dhe ambasadën shqiptare në SHBA, janë aktualisht pika qendrore e vëmendjes në këtë drejtim. Jo vetëm për sa i përket rëndësisë që ka detyra dhe vendi ku ata pritet të emërohen, por edhe për shkak të “incidenteve” të ndodhura në seleksionimin e tyre. Këtu duhet kujtuar se për qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha kthimi i emrave të propozuar për ambasador në SHBA shënon rastin e dytë me Spiro Koçin, i cili pason në këtë kontekst zëvendësministren aktuale të Jashtme, Edith Harxhi, e cila u refuzua nga ish-presidenti Alfred Moisiu. Për sa i përket marrjes së detyrës, zgjatjen kohore të saj e dikton edhe procedura standarde që ndiqet në këto raste. Zgjidhja e saj pason konfirmimin presidencial i cili do të hapte rrugën që Ministria e Jashtme të bëjë kërkesën për pranimin e tyre në shtetet përkatëse (agrement). Afati i dhënies së përgjigjes është deri në 48 ditë nga dorëzimi zyrtar i kërkesës, e cila miratohet ose jo pas filtrimit që shteti pritës i bën emrit përkatës. Në këtë procedurë zakonisht ndiqet edhe parimi i reciprocitetit, i cili konsiston në respektimin e afatit kohor të ndjekur nga secili shtet në rastet e emërimit të ambasadorëve të rinj. Vetë natyra informative e këtij procesi përcakton deri diku edhe përzgjedhjen që bëhet në mënyrë që të shmanget me çdo kusht refuzimi nga shteti pritës që do të sillte medoemos krijimin e klimës së incidentit diplomatik.
#