E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria nis hetimet për helmimin e fëmijëve

Inspektorët e Shëndetit Publik marrin kampionë të ushqimeve. Priten konkluzionet për marrjen e masave

Nisin hetimet për helmimin e fëmijëve elbasanas. Një grup pune me specialistë nga Drejtoria e Shëndetit Publik të Korçës ka nisur verifikimet në ambientet e hotelit ku kanë qëndruar fëmijët e prekur nga helmimi. Grupi i përbërë nga përfaqësues të higjienës ushqimore dhe epidemiologë ka marrë kampione nga ushqimet që janë gjetur në kuzhinën e restorantit ku kanë drekuar fëmijët nga Elbasani. Kampionet do t’ju nënshtrohen analizave për të përcaktuar shkakun e helmimit masiv të fëmijëve, ndonëse dyshohet se ushqimet kanë qenë të ndenjura dhe nuk kanë pasur kushtet e duhura të ruajtjes frigoriferike. Pas marrjes së përgjigjeve, do të merren dhe masat konkrete për shkaktarët e helmimit të fëmijëve. Drejtori i Shëndetit Publik Korçë, Ylli Qirinxhi, ka deklaruar: ”Sapo jemi njoftuar nga spitali për rastin në fjalë kemi shkuar me një ekip pune të përbërë me specialistë, në restorantin ku kanë konsumuar ushqime fëmijët e intoksikuar për të vlerësuar shkaqet dhe për të identifikuar në vend dhe përmes analizave laboratorike në rast se ka pasur ngarkesë bakteriale. Kemi marrë kampione dhe kemi kryer inspektimin e higjienës. Konfirmimi mbi shkakun pritet të dalë nga analizat që do të kryejmë në laborator. Deri në daljen e analizave do të vendoset bllokimi i aktivitetit të restorantit dhe lokalit”, ka thënë Ylli Qirinxhi. Helmimi i fëmijëve në Voskopojë ka bërë të nisin edhe hetimet nga organi i akuzës. Një grup hetimor nga Prokuroria e Korçës dhe policia kanë nisur hetimet dhe verifikimin e kartelave mjekësore. Grupi hetimor ka verifikuar të gjitha kartelat e rasteve të paraqitura në spitalin e Korçës të fëmijëve që janë shtruar në spital dhe kanë marrë në pyetje mjekët lidhur me shqetësimet që kanë paraqitur fëmijët. Nga ana e tij, pronari i hotelit ku janë vendosur grupi i pushuesve të vegjël nga Elbasani, Agron Lico, e ka mohuar faktin se ata kanë konsumuar ushqime në restorantin e tij. Sipas tij, fëmijët kishin marrë bukë me vete dhe nuk kanë ngrënë në lokal. Ndërkohë që sipas mësuesve të shkollës fetare, disa fëmijë kanë marrë ushqime me vete, ndërsa pjesa tjetër, ajo që ka konsumuar ushqim në lokal, kanë shfaqur shenjat e helmimit ushqimor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›