Komisioni hetimor, tërhiqet mazhoranca

Mazhoranca nuk mbledh komisionin hetimor. Anëtarët e këtij komisioni flasin për një kohë të pacaktuar
TIRANË - Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar, komisioni hetimor parlamentar nuk u mblodh dje për të përcaktuar axhendën e punës aq shumë të trumbetuar nga vetë anëtarët e mazhorancës në këtë komision. Mazhoranca mësohet se do t'i japë opozitës kohën e nevojshme për të plotësuar vendet bosh në komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
Ndërkohë asnjë prej deputetëve të PD-së në këtë komision nuk ka dhënë një datë të saktë se kur do të fillojë puna e këtij komisioni që mesa duket do të jetë shkas për fillimin e një propozimi të ri nga ana e mazhorancës, me qëllim që opozita të bëhet pjesë e këtij komisioni.
Deklarata e Ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosh, se komisioni hetimor parlamentar i ngritur vetëm më votat e mazhorancës është i padobishëm, ka sjellë edhe një reflektim nga ana e mazhorancës për të kaluar në një fazë të dytë veprimi.
Një prej anëtarëve të këtij komisioni, Eduard Halimi, u shpreh dy ditë më parë se,
Komisioni nuk do ngutet dhe se është shumë e rëndësishme, që opozita të vijë në komision.
Ndërsa deputeti tjetër në këtë komision, Aldo Bumçi, e ka lidhur punën mëvonshme të këtij komisioni më propozimin më të ri të kryeministrit Sali Berisha. "Prokuroria, si organ hetimor, ka të drejtë të hyjë në themel të çdo çështjeje. Ne i po japim mandatin 100 prokurorëve, pra organit të akuzës që të hetojë të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet.
Përveçse akuzave që mund të bëjnë palët prokuroria mund të hetojë edhe kryesisht. Kjo ekziston për çështje ordinere dhe për çdo çështje që prokuroria mendon se ka një element për të hetuar.
Atëherë, këtu i gjithë parlamenti, shumicë dhe pakicë, i jep një mbështetje organit të prokurorisë, duke përkrahur me mjete financiare dhe me çdo mjet tjetër të nevojshëm që një numër i konsiderueshëm prokurorësh, rreth 100 t'i dedikohen hetimit të zgjedhjeve dhe të hetojnë zgjedhjet në detaje në të gjitha zonat", - tha Bumçi.
Sipas Aldo Bumçit, grupi i prokurorëve nuk pengon punën e komisionit hetimor parlamentar. Komisioni hetimor u ngrit pak ditë më parë vetëm më votat e mazhorancës.
Në axhendën e këtij komisioni të kontestuar tashmë nga opozita, thuhet ndër të tjera se, "komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje, përveç çështjeve për të cilat ka vendime të gjykatave të vendit, janë në shqyrtim gjyqësor apo për të cilat është regjistruar kallëzim penal në Prokurori.
Objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilat tregojnë qartë se për çfarë po hetohet". Nga ana tjetër në vendimin e miratuar për ngritjen e këtij komisioni opozitës i është lënë pakica, pasi nga 15 anëtarë që do të ketë komisioni gjithsej 8 janë emëruar deputetë demokrat.