E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis procesi për krimet e Aldo Bares

Prokuroria lexoi dje kërkesën për gjykim dhe thirri 60 dëshmitarë për të provuar 10 akuzat e ngritura prej saj për krimet e dyshuara të kryera prej tij në vitet 97- 99


Në listën e gjatë të dëshmitarëve të akuzës mungonte emri i të penduarit i bandës së Lushnjes, Petrit Liçi


TIRANË- Nisi dje procesi penal ndaj të akuzuarit si kreu i "bandës së Lushnjes" të pandehurit Alfred Shkurti alias Aldo Bare, i ekstraduar nga Turqia katër muaj më parë për llogari të këtij procesi gjyqësor. Mbi Baren, sipas kërkesës për gjykim të lexuar nga përfaqësuesi i akuzës, rëndojnë 10 vepra të rënda penale.


Pesëshja gjykuese e çështjes e kryesuar nga Fatmira Hajdari, pasi dëgjoi parashtrimin e kërkesave paraprake të avokatit mbrojtës dhe prokurorëve të çështjes, urdhëroi leximin e kërkesës për gjykim.


Sipas prokurorëve Gentian Trenova dhe Besnik Muçi, i pandehuri Bare akuzohet për katër "vrasje me paramendim" ndaj personave Genci Kashari, Masar Aliu, Xhevat Demiri e Nimet Zeneli.


Po kështu ai akuzohet për tri "vrasje me paramendim" të mbetura në tentativë ndaj shtetasve Artur Daja, Gramoz Selmani e Masar Aliu. Akuzohet për "Shkatërrimin e pronës me zjarr", dhe bëhet fjalë për banesën e Shkëlqim Haxhiut, "krijimin e organizatës kriminale", "kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale", si dhe "mbajtjen pa leje të armëve luftarake".


Për të provuar këto krime të kryera brenda viteve 1997-'99, prokuroria kërkoi thirrjen e 60 dëshmitarëve, mes tyre të 8 femrave.


Në listën e dëshmitarëve të akuzës janë edhe dy bashkëpunëtorët e drejtësisë, Arben Kicja dhe bashkëshortja e Xhevdet Demirit i dyshuar si i vrarë nga banda. Ajo që bie në sy, është fakti se në listën e dëshmitarëve të akuzës, nuk ndodhej emri i të penduarit të "bandës" së Bares, Petrit Liçi.


Ndërkohë, sipas prokurorisë, pas vitit 1999, për vrasjet dhe veprat e tjera penale për të cilat akuzohen pjesëtarët e kësaj "bande" Aldo Bare ka luajtur rolin e urdhëruesit. Pas leximit të kërkesës për gjykim, gjykata ndërpreu seancën për ta vazhduar javën tjetër me thirrjen e dëshmitarëve të parë. Gjithashtu ajo duhet të shprehet me një vendim të ndërmjetëm për provat e kërkuara nga prokuroria dhe mbrojtja.


Kërkesa


Sipas dosjes penale të regjistruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, më 7 shkurt 2006 me nr. 15, i pandehuri Aldo Bare është ndarë nga dosja penale me të pandehurit e cilësuar si "ushtarët" e tij, Arben e Enver Boriçi, Ilir Stërgu, Erion Cici, Afrim Hoxha, Enver Dondollaku, Rexhep Gina, Arjan Aliçko, Jorgo Muzaka,etj.


Historia nis në korrik të 1997, kur në qendër të qytetit të Lushnjës është vrarë me armë zjarri Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Bare. Kjo vrasje ndodhi, pasi i pandehuri Bare ishte konfliktuar me shtetasin Artur Daja.


Më pas ai kishte marrë vëllain e tij Ramadan Shkurti dhe dy shokët Enver e Bardhyl Rabija e janë nisur për të vrarë Dajën në lokalin ku rrinte. Sapo janë afruar ata kanë qëlluar në drejtim të tavolinës ku ishte Daja me shokët e tij. Për pasojë mbeti i vrarë Genci Kashari, ndërkohë nga kundër përgjigja e Dajës mbetën të plagosur i vëllai i Bares, Ramadani dhe Bardhyl Rabija të cilët u ekzekutuan më pas nga afër nga armët e tyre në duart e Dajës.


Pas vrasjes Bare me qëllim hakmarrjen ndaj Artur Dajës, formon "bandën" e tij me ndihmën e shokëve, miqve e të afërmëve. Me 3 gusht 1997 vritet shqiptaro-maqedonasi Xhevat Demiri nga të pandehurit Ilir Stërgu, Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Në shkurt të vitit 1998 në Kolonjë të Lushnjes, vritet Nimet Zeneli dheplagoset Masar Aliu nga të pandehurit Arben.Boriçi.


Stërgu, Dondollaku dhe Aldo Bare. Pak ditë më vonë, me 22 shkurt 1998 në rrugën Kolonjë- Bitaj të Lushnjes, Dondollaku, Stërgu, Bare dhe Arben Boriçi dyshohet se kanë kryer vrasjen e Masar Aliut dhe "vrasjen pa dashje" të Idajet Beqirit.


Në gusht '98 Stërgu, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Erion Cici, Agur Muzaka, Rexhep Gina, Aldo Bare, Enver Dondollaku dhe Leonard Prifti (i vrarë) i vënë zjarrin banesës së Shkëlqim Haxhiut. Sipas prokurorisë, të gjithë viktimat nuk kishin konflikte personale me të pandehurin Bare, por janë vrarë vetëm pse ishin shokë, miq apo të afërm të kundërshtarit të tij, shtetasit Artur Daja.


BANDA
Krijimi i "bandës" së Lushnjës


Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas hetimeve disa mujore arriti të provojë se moment i krijimit të organizatës së ashtuquajtur "Banda e Lushnjes" apo "Grupi i Alfred Shkurtit" është vrasja dhe dhunimi i kufomës të shtetasit Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares, në muajin Korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjës.


Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e shtetasit Artur Daja, banor i qytetit të Lushnjës. Pas vrasjes, shtetasi Aldo Bare, me qëllim hakmarrrjen ndaj shtetasit Artur Daja dhe pjesëtarëve të bandës së tij, krijoi "bandën" në qytetin e Lushnjës.


PROKURORIA
Autoriteti i Aldo Bares, absolut në bandën e Lushnjes


Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur në përfundimin se Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë. "Gjatë hetimeve ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë, të drejtuar dhe të kontrolluar nga Aldo Bare.


Në gjithë veprimtarinë e saj, kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e Aldo Bares. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin Aldo Bares me nofkat të tilla si :"I madhi"; "Profesori"; "Kryetari" e të tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e Aldo Bares nuk bëheshin të diskutueshëm.


Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje.


Në vijim të veprimtarisë kriminale, kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e sport-klub Lushnjes, në bingon e qytetit",-thuhet në kërkesën që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë.


GUSHT 1998
Atentati me antitank ndaj Aldo Bares


Në gusht të vitit 1998, është djegur me anë të zjarrit banesa e Shkëlqim Haxhiut. Sipas prokurorisë, ky akt është kryer pasi pjesëtarët e bandës nuk kanë gjetur personat të cilët kërkonin. Djegia e banesës ka ardhur pasi ky person është lidhur me një ngjarje tjetër të ndodhur në Lushnje, në të njëjtën ditë të gushtit.


Është bërë goditje me antitank të një makine në vendin "Sul Zotaj" (Lushnje), ku brenda makinës ndodhej drejtuesi i grupit kriminal Alfred Shkurti dhe shokët e tij. Në vendngjarje, nga ku dyshohet se ka ardhur gjuajtja me antitank ka qenë edhe furgoni i Shkëlqim Haxhiut.


AKUZAT


"Vrasjes me paramendim" te shtetasit Genci Kashari;
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Masar Aliu
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Xhevat Demiri
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Nimet Zenelit
"Vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë të shtetasit Artur Daja
"Vrasjes me paramendim", të mbetur në tentative ndaj shtetasve Gramoz Selmani dhe Masar Aliu
"Mbajtjes pa leje të armëve luftarake"
"Shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu
"Krijimit të Organizatës kriminale"
"Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale"

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›