E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bylykbashi divorc me Partizanin, tre skuadra turke ne gare

Krejt papritur në stërvitjen e djeshme të Elbasanit është bashkuar me grupin sulmuesi i njohur i kampionatit shqiptar, Dorian Bylykbashi. Fantazisiti i Partizanit, që ditët e fundit është përfolur shumë për një rikthim te Elbasani, ka zbritur dje në stërvitje me kampionët duke u vënë për një ditë nën urdhërat e trajnerit Gëzdari. "Bylykbashi ka ardhur në Elbasan", ka qenë SMS-ja e shpejtë që mbushi aparatet celularë të tifozëve verdheblu. Por, i kontaktuar nga "Panorama Sport", ai është shprehur se ka ardhur vetëm për një ditë stërvitje në Elbasan. Në këtë intervistë, Dorian Bylykbashi zbulon edhe axhendën e tij në të ardhmen, duke theksuar se ka oferta nga Turqia dhe Gjermania.
Keni befasuar Elbasanin me ardhjen tuaj në stërvitje...
Mund të them se në Elbasan jam lindur dhe kam familjen time. Kështu që ekipi ku unë jam formuar, sigurisht që është shumë në karrierën time. Kam zhvilluar një stërvitje normale për një futbollist që është profesionist. Dua të them se ka qenë një stërvitje që unë e bëj cdo ditë dhe meqenëse jam në Elbasan e bëra këtu. Nuk ka asgjë më tepër.
Mos do të thotë kjo se jeni larguar nga Partizani?
Jo, për momentin nuk mund të them asgjë, pasi këto dy ditë pres të nisem në Turqi, ku më kanë kërkuar tre ekipe për provë. Gjithsesi, dëshira ime është e madhe për të luajtur jashtë vendit, në një kampionat që ka nivel, por thjesht për momentin asgjë nuk është zyrtare. Kështu që nuk mund të komentoj më tepër.
Cilat janë ekipet që ju kanë kërkuar?
Nuk mund të them emra, por mund të them se janë tre ekipe turke që janë interesuar për mua. Do të shkoj në Turqi për të bërë një provë dhe më pas, njëra nga këto ekipe, në qoftë se bie dakord edhe mund të qëndroj atje. Kjo nuk varet në dorën time, sepse do të vlerësoj edhe anën financiare që do të më afrojnë. Kush të më plotësojë të gjitha kushtet mund të jetë skuadra ime e ardhshme.
Ka zëra që ju kërkon edhe Bundesliga 2. Sa e vërtete është kjo?
Po, kam ofertë edhe nga një ekip i Bundesligës 2 dhe jam gati që të firmos, por nuk kam vendosur asgjë. Nuk mund të flas më shumë për të ardhmen, pasi nuk e kam vendosur. Më parë duhet të udhëtoj për në Turqi, shpresoj që të firmos me një ekip. Nga Bundesliga 2 më ka mbërritur një ofertë dhe ata presin vetëm përgjigjen time, por nuk e kam vendosur ende.
Nëse nuk nënshkruani për një ekip të huaj, ku do të ktheheni te Partizani apo Elbasani?
Nuk e di, ajo që di dhe dëshiroj është që të luaj dhe të firmos me një ekip të huaj këtë sezon. Gjithsesi, do ta mësoni dhe destinacionin tim shumë shpejt.
Pse të mos e mësojmë që tani, apo...?
Nuk mund të them asgjë për të dyja pistat e mundshme. Kjo që po ju deklaroj është gjithcka për momentin.
Intervistoi: Fatjon Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›