E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muça: “Tri miqësore në Antalia, pastaj sulmi i fundit për titull”

Albania-Sport (AS)- Shkëlqim Muca, sekretari i SK Tirana dhe njëherësh edhe trajneri i skuadrës profesioniste i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për nisjen e skuadrës në Antalia të Turqisë. Bisedat e fundit me drejtuesit e hotelit ku do të akomodohen në Kemer, janë dhe rifinutarat e Mucës së asistuar nga futbollisti Klodian Duro, që flet një turqishte të shkëlqyer, kjo falë dhe eksperiencës së tij në atë vend. Muca është i vetëdijshëm për sfidën e parë të rifillimit të kampionatit: Teutën, teksa është i bindur se titulli këtë sezon i përket bardhebluve, me të cilët Muca synon titullin e tretë si trajner. Për albania-sport.com, tekniku i Tiranës dha këtë intervistë:

- Muca, Tirana ekipi të cilin ju do drejtoni deri në fund të sezonit do të niset nesër për të kryer fazën përgatitore në Turqi...
- Është momenti më i mirë kohor dhe vendi më i mirë për ta kryer atë. Sic e dini, federata u ka krijuar mundësinë klubeve të kryejne një fazë të plotë përgatitore dimërore, për një periudhë më shumë se një mujore, nga 23 dhjetori i vitit të kaluar e deri në fillim të shkurtit. Ne kemi kohë që e kemi programuar punën tonë që kulmon me fazën përgatitore në Kemer të Antalias në Turqi. Do akomodohemi në një nga hotelet më të mira të zonës.
- Përvec stërvitjes natyrisht a keni planifikuar ndonjë test miqësor?
- Sigurisht. Kemi planifikuar 3 ose 4 takime miqësore. Më datën 18 janar do të përballemi me Instambulspor. Skuadra turke luan këtë sezon në Liga A (kategoria e dytë turke) dhe ndodhet në vendin e gjashtë. Kjo është e konfirmuar tashmë. Më datën 22 janar kundërshtar kemi një ekip rus dhe, më 24 një ekip kazakistanez ose azerbjaxhanas. Kjo mbetet për t'u konfirmuar si ekip. Do përpiqemi të gjejmë edhe një ekip tjetër, përpara se të kthehemi në Tiranë.
- Sfida e parë pas rifillimit të kampionatit për Tiranën është ajo kundër Teutës, një përballje që vendos shumë, pasi durrsakët vinë direkt pas jush në klasifikim?
- E vlerësojmë si një takim të rëndësishëm, pavarsisht se një takim nuk mund të vendosë fatet e kampionatit. Kampionati është ende i hapur. Një fitore me Teutën do të thotë një shkëputje 9 pikëshe me ndjekësen tonë më të afërt.
- Teuta është dhe sfida juaj direkt në Kupën e Shqipërisë?
- Për Kupën e Shqipërisë ka kohë deri më 14 shkurt, por ne i kemi objektivat të qarta se i duam të dyja trofetë sezonale.
- Sa keni realizuar edhe blerjen e parë të rëndësishme gjatë merkatos dimërore, elbasanasin Hetlem Capja. Cfarë do të thotë ky përforcim për Tiranën?
- Së bashku me donatorët ne menduam të afrojmë tre-katër lojtarë të rinj. Në ekip janë afruar Hetlem Capja (nga Elbasani), Erald Turdiu (nga Kastrioti) dhe Renato Arapi (nga Erzeni). Turdiu dhe Arapi kanë qenë lojtarë që kanë luajtur me datëlindjen 1985 me të rinjtë e Tiranës dhe janë maturuar në ekipet e tjera. Kanë të dhëna të mira, por do të shihen me shumë kujdes gjatë ecurisë së tyre me ekipin tonë.
- Abazaj quhet cështje e përfunduar për Tiranën?
- Jemi në pritje të marrjes së vendimit nga Komisionet përkatëse dhe shpresojmë se dhe ai do të bashkohet me ne.
- Pista e huaj duket se ka rënë përfundimisht, teksa u fol për një rol menaxheri të kamerunasit Fish?
- Ndoshta. Boliviani Diomedes Penja i është nënshtruar një operacioni dhe nuk presim të rikuperohet shpejt. Edhe përpara operacionit ka pasur mangësi në kondicion për shkak të dëmtimeve të mëparshme. Nigeriani Abraham Alechenwu mbërriti sot në Tiranë, ndërsa kamerunasi Abada Fish do të vijë të martën e ardhshme direkt e në Antalia.
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›