E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Disiplinës vendim për dhunën në stadiume

TIRANE- Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka dhënë vendimin për problemet e hasura në stadiumet shqiptare në ndeshjet e fundjavës. Kështu, ekipi i Gramozit është dënuar të luajë dy ndeshje në fushë asnjanëse për shkak se në stadiumin e Ersekës u godit me grusht arbitri anësor Denis Agaraj. Ndërkohë, agresori i gjyqtarit, zëvendës trajneri i skuadrës së Gramozit Altin Hodo është përjashtuar përjetë nga aktiviteti nga Disiplinori. Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte për ndeshjen Flamurtari-Kastrioti. Klubi krutan, për shkak të braktisjes së fushës është dënuar me humbje të ndeshjes në tavolinë 2-0, heqjen e 3 pikëve nga klasifikimi dhe 1 milion lekë gjobë. Një masë e tillë ishte e pritshme, duke qenë se ajo përcaktohet qartë në rregulloren e futbollit. Një tjetër masë e Komisionit të Disiplinës ka qenë pezullimi për 5 javë dhe gjobitja me 100 mijë lekë e kapitenit të Flamurtarit Halim Begaj, për shkak se ka goditur një futbollist të skuadrës së Kastriotit.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›