E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë, voton nismën e qeverisë, që u ndalon të zgjedhurve lokal, taksimin e biznesit në masën mbi 10 për qind

Mazhoranca vendos uljen e taksave lokale, deputetët e opozitës bojkotojnë mbledhjen

Opozita ka bojkotuar dje mbledhjen e Komisioni Parlamentar të Ekonomisë, i cili në rend të ditës kishte miratimin e nismës së qeverisë që kufizon pushtetin vendor të vendosë taksa mbi biznesin e vogël përtej masës 10 për qind të niveleve aktuale të taksave vendore. Në diskutimin dhe miratimin e këtij projektligji, kanë qenë vetëm deputetët e mazhorancës.Projektligji i hartuar nga qeveria, parashikon vendosjen e kufijve të pushtetit vendor për taksat ndaj biznesit të vogël. Në bazë të projektit bashkitë dhe komunat nuk mund të ulin me shumë se 30 për qind taksat ndaj biznesit, por as nuk mund t’i rrisin ato më shumë se 10 për qind. Nën pretekstin se ky projektligj është ndërhyrje e drejtpërdrejtë dhe cenim i pavarësisë së pushtetit vendor, ai është kundërshtuar hapur edhe më parë nga opozita.

Nga kjo nismë më e fundit e qeverisë pritet të përfitojnë kryesisht bizneset e konsideruara të vogla, të cilat, prej vitesh janë rënduar me taksa lokale, që shtohen në numër e në vlerë nga viti në vit. Lidhur me zbatimin e këtij ligji, duke qenë se preken të ardhurat që bashkitë dhe komunat mbledhin nga taksat, Ministria e Financave ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë kompensim ndaj pushtetit vendor.

Ulja e taksave

Një biznes i vogël, aktualisht paguan disa lloje taksash dhe tarifash. Një biznes i vogël paguan taksa dhe tarifa të tjera, si taksa e gjelbërimit dhe tarifa e pastrimit, të cilat vendosen me vendime të këshillave bashkiakë. Konkretisht, një biznes i vogël me xhiro vjetore deri ne 2 milionë lekë, parapaguan një taksë për efekt tatim-fitimi prej 45 mijë lekësh. Veç kësaj takse për vitin 2009, ky biznes, në se është një shitës me pakicë do të paguajë në bashki edhe 10 mijë lekë taksë gjelbërimi plus 10 mijë lekë tarifë pastrimi, që ëne total shkojnë rreth 65 mijë lekë. Por me kufizimin aktual që bën ligji i ri, biznesi do të paguaje, vetëm 45 mijë lekë tatimi fitimi plus 4500 lekë taksë gjelbërimi dhe tarifë pastrimi, që në total shkojnë 49 500 lekë nga 65 mijë që ishin. 

Për kategorinë e bizneseve me xhiro nga 2 deri ne 3 milionë lekë, taksat vendore janë aktualisht 68 mijë lekë, që do të thotë se të gjitha tarifat dhe taksat e tjera që mund të vendose pushteti vendor nuk mund ta kalojnë nivelin 6. 800 lekë, ndaj në total ky biznes do të paguajë 74 mijë e 800 lekë nga 88 mijë që do paguante sipas ligjit ekzistues.

Iniciativa e qeverisë

Iniciativa e qeverisë për kufizimin e taksave lokale, u formalizuar një javë më parë, në mbledhjen e këshillit të Ministrave. Në këtë mbledhje, qeveria ju vendosi një kufi prej 10 për qind drejtuesve të qeverisjes lokale për vendosjen e taksës mbi biznesin e vogël. Gjatë mbledhjes së një jave më parë të qeverisë për miratimin e projektligjit për sistemin e taksave vendore, që vendos kufizimin deri në 10 për qind të taksës të biznesit të vogël, kryeministri Sali Berisha, duke e konsideruar biznesin e vogël sektorin më të fuqishëm të ekonomisë, ku janë punësuar rreth 200 mijë vetë, tha se kjo masë synon shmangien e abuzimeve ndaj kësaj biznesi. 

“Biznesi i vogël është për Shqipërinë sektori më i fuqishëm i ekonomisë. Pavarësisht se kontributi i tij në buxhetin publik është pa krahasimisht më i vogël se biznesi i madh, biznesi i vogël është gjeneratori i punësimit në vend. Në këtë biznes janë të punësuar minimalisht 180-200 mijë shqiptarë. Taksa e biznesit të vogël u transferua tërësisht, në përputhje me konceptin e decentralizimit, në bashki e komuna. Sot, ky biznes është vendosur në vështirësi, në disa qytete të vendit, u shpreh kryeministri, duke bërë të qartë se, duke respektuar problematikën e pushtetit vendor, ne ngushtojmë marzhin, duke mos pasur të drejtë të vendosë më shumë se 10 për qind të taksës të biznesit të vogël”. Berisha njoftoi gjithashtu të tjera masa në mbështetje dhe mbrojtje të biznesi të vogël. Duke garantuar pushtetin vendor se qeveria është e gatshme t’i ndihmojë, në përputhje me nevojat që kanë, Berisha theksoi se nuk mund të pranohet që bashkitë të rrisin çdo vit taksën e pastrimit apo gjelbërimit. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›