E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takohet me banorë të Rubikut

Topalli: “Vitin e ardhshëm, shqiptarët do të lëvizin pa viza”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon” ka vizituar dje komunën Rubik, të rrethit të Mirditës, ku ka parë nga afër investimet e bëra në infrastrukturë. Gjatë fjalës së saj Kryetarja e Kuvendit foli për ndryshimet e mëdha që ka pësuar Shqipëria, ndryshime që sipas saj, ajo i kishte vërejtur në çdo komunë apo qytet që kishte vizituar. “Në fakt vij këtu në fshat dhe gjej një Shqipëri ndryshe, shkoj në rrugë rurale dhe gjej një Shqipëri ndryshe, shkoj në rrugë nacionale dhe gjej një rrugë ndryshe, shkoj në veri dhe gjej një Shqipëri ndryshe, shkoj në jug dhe gjej një Shqipëri ndryshe”. 

Kryetarja e Kuvendit nuk ka nguruar të premtojë se pas një viti shqiptarët do të lëvizin pa viza. “Ky është premtimi ynë, ju do të lëvizni pa viza për të parë nipërit tuaj, ndërkohë që kanë mbetur rreth 2 muaj për të shkuar drejt zgjedhjeve të ardhshme dhe ne kemi përgatitur projektin tjetër të madh të mandatit të ardhshëm”, tha Topalli. 

Duke kujtuar përplasjet e vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës, Kryetarja e Kuvendit kujtoi një sërë kontestimesh të pafundme që opozita ka bërë ndaj çdo iniciative dhe reforme të ndërmarrë nga qeveria, duke renditur se “ndërkohë që ne anëtarësojmë Shqipërinë me të drejta të plota në NATO, kryetari i bashkisë së Tiranës bën protesta, pikërisht pas marrjes së ftesës në NATO. Ndërkohë që ne rrisim rrogat  në Parlament për arsimtarët, për infermierët, për administratën, ata votojnë kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve. Ndërkohë që ne sjellim një buxhet shtesë në Parlament mbi 200 milion dollarë, 300 milion dollarë të cilat do të shkojnë për Shqipërinë, do të shkojnë për fshatin, qytetin, shkollën, spitalin, ata votojnë kundër buxhetit shtesë. Ne sjellim në Parlament dhe votojmë një buxhet të dyfishuar, ndërsa ata votojnë kundër. Ne i themi që pas një jave do të shkojmë dhe do të aplikojmë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, ata thonë jo, mos e bëni këtë. Ne themi se do të vazhdojmë të rrisim rrogat, ata thonë jo, ky është faj, ju nuk mund ta bëni këtë”, u shpreh Topalli. 

Pasi renditi një sërë faktesh që diferencojnë rrënjësisht qeverisjen aktuale nga opozita e majtë, Kryetarja e Kuvendit premtoi se “Në mandatin e ardhshëm të tjera projekte të mëdha zhvillimi do të ketë vendi ynë”, duke lënë në të njëjtën kohë të hapur mundësinë që të gjitha sugjerimet e banorëve do të merren në konsideratë, për t`u zbatuar më pas konkretisht. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›