E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Jashtëm, i anashkaluar rreth ratifikimit të Marrëveshjes

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë vlerësuar se ky komision është anashkaluar në tërësi në rastin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve, Kosovë-Serbinë. Anëtarët e komisionit kanë deklaruar që marrëveshja nuk i plotëson kriteret për t’u quajtur ndërkombëtare.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme nuk kanë votuar rekomandimet që do të dilnin nga ky komision rreth ratifikimit të Marrëveshjes së parë, Kosovë-Serbi. Kreu i komisionit, Albin Kurti edhe në këtë mbledhje është shprehur kundër marrëveshjes. Ai tha se marrëveshja nxit më shumë ndarje në Kosovë.

“Përshtypja ime e fuqishme e përgjithshme është se me këto 15 pika të Marrëveshjes Thaçi –Daçiq ne nuk do të kemi më shumë integrim por do të kemi më shumë segregim”, tha Kurti.

Edhe anëtari i PDK-së, Hidajet Hyseni i cili kur ishte votuar Marrëveshja në parim kishte abstenuar, ka theksuar se Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes me Serbinë ka shumë defekte dhe sipas tij nuk mund të quhet ndërkombëtare.

“Është pa titull, nuk është e sqaruar kush me kënd e ka nënshkruar këtë marrëveshje, janë dy nënshkrime poshtë dhe ne e dimë që janë dy inicialet e kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë dhe në çështje të tilla nuk mund të shkohet me intuitë”, tha Hyseni. Edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Petar Milletiq theksoi se Komisioni për Punë të Jashtme është duke u anashkaluar. Në mungesë të anëtarëve nuk u mundësua votimi për rekomandimet për shtyrjen e ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›