Komisioni i Jashtëm rikthen rezolutën e vitit 2004 për çështjen Çame
Fatos Beja: Ka një rezolutë të miratuar në 8 prill 2004, nuk mund të injorohet
Komisioni parlamentar për politikën e jashtme diskutoi sot projektrezolutën Çame e propozuar nga PDIU. Por kjo seancë nuk ka kursyer surprizat, kur kryetari i komisionit Fatos Beja ka risjellë në vëmendje rezolutën e viti 2004 për një çështje të tillë. Sipas tij, kjo rezolutë nuk mund të injorohet. I gjendur përballë një fakti të tillë, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi nxitoi të saktësonte se “rezoluta e 2004 në procesverbal del sikur nuk është miratuar”. “Ne dimë që kjo rezolutë është rrëzuar në atë vit. Po të ishte miratuar do dilte në fletoren zyrtare”- tha ai. “Kanë kaluar 9 vjet prej atëherë, tha zoti Idrizi, dhe asgjë nuk është për bërë zgjidhjen e saj. Në këto kushte, Parlamentit i duhet të shprehet dhe njëherë në lidhje me zgjidhjen e çështjes çame. Parlamenti duhet ta imponojë qeverinë ta trajtojë këtë çështje si duhet në takimet diplomatike. E kuptoj rëndësinë e Traktatit të miqësisë, por ai Traktat ka funksionuar vetëm për grekët, për varrezat e ushtarëve të tyre, për pronat e minoritarëve, etj, dhe asgjë s’është bërë për ne shqiptarët. Në të gjithë rastet ne kërkojmë shfuqizimin e Ligjit të Luftës”- theksoi ai.
Por, kryetari Beja ka deklaruar se nuk duhet bërë një rivotim, vetëm një rregullim në procesverbal, pasi rezoluta është votuar një herë, nuk votohet për së dyti.
Në vlerësimin e Idrizit, fshehja e këtij dokumenti përbën një dëm të madh shoqëror se asnjë qeveri nuk i është referuar asaj.
Për këtë arsye, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri ka fajësuar ish kreun e Kuvendit, Servet Pëllumbin duke kërkuar që t’i paraqitet drejtësisë, se ka falsifikuar dokumente.
Ndërkaq deputeti, Kastriot Islami kërkoi që të sqarohet rezoluta e 2004.
Po sot, dy deputetët Idrizi dhe Tahiri i dërguan një shkresë Kryesisë së Parlamentit ku i kërkojnë të shprehet zyrtarisht dhe pa vonesë në lidhje me miratimin ose jo të Rezolutës në 8 prill 2004, dhe t’i japë asaj Rezolute fuqi të plotë ligjore duke e botuar në Fletoren Zyrtare.
Kështu, pritet që në mbledhjen e radhës të rishikohet pikërisht një rezolutë e tillë që rezulton e “miratuar” nga Kuvendi i Shqipërisë në 8 prillt të vitit 2004.