E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI letër trojkës: PD po politizon KQZ, në rrezik zgjedhjet e 23 qershorit

TIRANË- Lëvizja Socialiste për Integrim pasi Komisioni i Ligjeve miratoi lirimin nga detyra të anëtarit të propozuar nga LSI-ja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i ka nisur letër trojkës së ambasadorëve ku sqaron shkeljet në Kushtetutë. 

LSI në letrën e saj e vlerëson si të jashtëligjshmën procedurën e lirimit të anëtarit të saj dhe në thyerje flagrante të Kodit Zgjedhor. 

“LSI konsideron se kjo është një lëvizje politike e Partisë Demokratike, me natyrë destabilizuese e cila politizon hapur KQZ dhe kërkon të vendosë mazhorancë të dhunshme politike në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013. Kjo frymë pritet të shpërndahet edhe në Komisione të niveleve të tjera”, thuhet ndër të tjera në letrën e LSi. 

Letra e plotë 

Të nderuar Ambasadorë, 

Sot, Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë,ka nisur një proçes për të zëvendësuar Anëtarin e propozuar nga LSI në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Muho, i cili është zgjedhur në këtë detyrë në përputhje me Nenin 14 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë për një mandat 6 vjeçar që prej zgjedhjes së tij. 

LSI konsideron se kjo është një proçedurë e jashtëligjshme dhe në thyerje flagrante të Kodit Zgjedhor. 

Ndërprerja para kohe e mandatit të Anëtarit të KQZ, iniciohet vetëm nga KQZ për arsye të parashikuara nga Neni 18 i Kodit Zgjedhor (bashkëngjitur) dhe jo nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rastin konkret procedura e nisur është e jashtëligjshme sepse nuk plotëson asnjë nga kriteret e Nenit 18 dhe është nisur në nivelin e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë. 

LSI konsideron se kjo është një lëvizje politike e Partisë Demokratike, me natyrë destabilizuese e cila politizon hapur KQZ dhe kërkon të vendosë mazhorancë të dhunshme politike në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013. Kjo frymë pritet të shpërndahet edhe në Komisione të niveleve të tjera. 

LSI do të reagojë politikisht dhe në mënyrë proporcionale dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për bllokimin e këtij akti të dhunshëm dhe shqetësues politik. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që politika të ndërhyjë në çështjet e brendshme të KQZ dhe nuk do të tolerojmë asnjë tentativë për kompromentimin dhe manipulimin e procesit zgjedhor. 

Situata është jashtëzakonisht kritike dhe mund të minojë legjitimitetin dhe integritetin e të tërë procesit. 

LSI shpreson në mirëkuptimin tuaj dhe në angazhimin e menjëhershëm aktiv në funksion të parandalimit të përshkallëzimit të situatës dhe në interes të ruajtjes së standarteve të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›