Berisha akuza Ramës: Kërkon të rikthejë kohën e Ramiz Alisë
Kryeministri Berisha iu uron mirëseardhjen ministrave të rinj të kabinetit qeveritar
Kryeministri Sali Berisha shprehu sot vlerësimet përkatëse për ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, në mbledhjen e parë për ta, në cilësinë e ministrave. Kreu i qeverisë u uroi suksese sidomos dy anëtarëve që janë për herë të parë pjesë e kabinetit qeveritar, ministrit të Kulturës, Visar Zhiti dhe atij të Shëndetësisë, Halim Kosova. “Iu uroj detyrën ministrave të rinj, personaliteteve në fusha të cila premtojnë në këtë qeveri. I uroj suksese poetit dhe shkrimtarit të shquar, Visar Zhytit, të riut që zgjodhi në mbrojtje të vlerave të lirisë kundështimin e një regjimi barbar. Visar Zhyti është një përfaqësues i elitës kulturore të vendit por edhe një përfaqësues i shpirtit të qëndresës së kombit shqiptar. Një përfaqësues i shtresës së të përndjekurve politik që kanë qenë dhe mbetet mbështetja kryesore, e pamposhtur e demokracisë, lirisë dhe vlerave të saj dhe i Partisë Demokratike në tërësi. Doktor Halim Kosova është njeriu që i frymëzuar nga parimet më të larta njerëzore në shërbim ndaj njeriut, në njërën prej fushave më delikate e të rëndësishme ka shkrirë energjitë e tij me sukses të madh, përkushtim. Ai ka dëshmuar gjatë këtyre viteve aftësi të shkëlqyera menaxhuese që nuk është shumë e zakonshme në botën medikale, ndaj edhe në këtë aspekt ky sektor udhëhiqet jo vetëm nga një personalitet me kompetencë shkencore, me aftësi profesionale të madhe përkushtim e humanizëm të lartë, por nga një personalitet me aftësi”, u shpreh Berisha.
Por njëkohësisht, nuk munguan dhe vlerësimet për ministrin e Ekonomisë, Florion Mima.
"Shkëlqen me mungesën e tij ministri i Ekonomisë, Florion Mima, që është në një detyrë. Ai ka kontribut shumë të rëndësishëm në të gjitha reformat e kryera gjatë këtyre viteve nga qeveria e PD dhe koalicionet e saj, me aftësi profesionale, dinjitet dhe përkushtim të madh. Jam i bindur se do te vazhdojmë vendosmërisht reformat", vlerësoi Kryeministri.
Gjithashtu, Berisha shigjetoi projektin e PS-së dhe deklaratat e Ramës për ish të përndjekurit.
“Teoria e Ramës për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve, duke u bërë proceset gjyqësore, është zbatim i doktrinës së etërve të tyre, që nuk do të ndodhë kurrë. Rama tha se Spaçi ka qenë një pasuri e madhe, Spaçi ka qenë një ferr. Për bllokmenët natyrisht që ishte pasuri, por për ata qe e vuanin ishte një ferr. Zoti Rama duhet ta dijë se ka ligje ky vend, ky do të rikthehet në kohën e Ramiz Alisë, nuk mund të rikthehet më. Le të vazhdojë edhe pak kohë këto përçarje, se e vërteta është se ora po afron, dita po afron, energjitë po e lëshojnë, këto janë punët e tij, unë çështjet i kam me zgjedhësit”- veçoi shefi i qeverisë.
Gjithashtu në këtë mbledhje, kreu i ekzekutivit bëri me dije se qeveria do të heqë taksën e shitblerjes së tokës.
“Heqja e taksës 10 % e shitblerjes së tokës ka si synim hapjen e tregut të tokës, me qëllim që ky treg të jetë sa më i lirë. Kjo bëhet në përgjigje të kërkesës së fermerëve të cilët kërkojnë zgjerimin e aktivitetit dhe të rrisin punësimin”, deklaroi Berisha.
Njëkohësisht, në fjalën e tij, Kryeministri kërkoi nga ministrat e Ekonomisë dhe të Financave që javën e ardhshme të sjellin në Këshillin e Ministrave vendimin apo dhe ndërhyrjen në ligj për dyfishimin e vlerës së letrave me vlerë dhe shtyrjen e afatit të përdorimit të tyre.
“Në mbledhjen e ardhshme të përgatisim vendimin apo dhe ndërhyrjen në ligj të dyfishimit të vlerës së letrave me vlerë. Duhet të vijë në qeveri shtyrja e përdorimit të tyre edhe për gjysmën e parë të mandatit të ri. Letrat me vlerë janë detyrim i qeverisë ndaj qytetarëve. Tregu i letrave me vlerë të ketë një frymëmarrje të madhe”, vuri në dukje, Berisha.
Pritet dhe vendimi për verifikimin ajror të territorit të Shqipërisë, në mënyrë që të bëhet legalizimi i ndërtimeve që kanë ndodhur pas vitit 2006. U hap dritë jeshile për ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe u ratifikua edhe marrvëshja për gazsjellësin transadriatik.