Komisioni i Ligjeve i hap rrugën zgjedhjes së Bajram Begajt si President! Emri i tij i dërgohet Kuvendit për t’u votuar

Komisioni i Ligjeve i ka hapur rrugën zgjedhjes së Bajram Begajt si President, duke dërguar emrin e tij në Kuvend.
Në mbledhjen e kësaj të shtune, ku u diskutua pikërisht vlefshmëria e kandidaturës së Begajt, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, u shpreh se Beaj i plotëson kushtet për t’u zgjedhur në krye të shtetit.
“Pasi është bërë depozitimi i kësaj kandidature për President të Republikës, shërbimi i Kuvendin dhe stafi kanë kryer të gjitha verifikimet dhe rezulton se kandidatura për zgjedhjen e presidentit, Bajram Begaj, është paraqitur nga 37 deputetë në përmbushje të detyrimeve ligjore, duke u plotësuar ky kusht, si dhe brenda afatit të parashikuar. Sa i takon përmbushjes së kritereve kushtetuese e ligjore të kandidatit, z. Begaj rezulton se i plotëson kërkesat ligjore. Ai plotëson kushtet e parashikuara”, tha Bushka.
Sikurse kishte njoftuar, Enkelejd Alibeaj nuk mori pjesë në Komisionin e Ligjeve, ndërsa nga Komisioni i Rithemelimit ishte i pranishëm Oerd Bylykbashi, i cili u shpreh se Begaj nuk mund të zgjidhet President pasi ushtarakët aktivë nuk mund të zgjidhen në poste të tjera.
Presidenti Ilir Meta firmosi sot nga Stambolli live dekretin e lirimit nga detyra të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë duke nxjerrë në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, të Gjeneralmajor Bajram Begaj.
Por në argumentat e tij, Bylykbashi tha se dekreti i Presidentit Meta mungoi në Komision.
Gjeneral Begaj është propozuar nga PS si kandidat për Presidentin e ri të Shqipërisë dhe votimi i tij do të bëhet sot në Kuvend në orën 18.00. Në raundin e katërt të votimit Presidenti zgjidhet me një shumicë të thjeshtë votash, pra 71 vota dhe PS i disponon votat për zgjedhur e vetme Presidentin e ri.
Presidenti aktual, Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi më 29 prill 2017, ndërsa mandati i tij përfundon më 24 korrik.
/rtsh.al/