E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet projektligji në Komisionin Parlamentar për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale Gjatë punimeve nëKomisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale”. Kjo huamarrje, sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Financave dhe atij të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) , të pranishëm në mbledhje, do të zgjasë për një periudhë 15-vjeçare. Marrëveshja parashikon një periudhë 3-vjeçare pa pagesë principali, ndërkohë që 1 përqind e shumës do t’i paguhet bankës për lëvrimin e fondit. Anëtarët e Komisionit shprehën vlerësimin maksimal për projektin e Qeverisë dhe gjetjen e burimeve për zbatimin e këtij projekti tepër të rëndësishëm në zhvillimin infrastrukturor. Projekti parashikon ndërtimin e 1000-1500 kilometra rrugë rurale dhe nacionale dhe bashkëfinancohet respektivisht me 50 milionë euro nga BERZH, 50 milionë euro nga Banka Evropian e Investimeve (BEI) dhe 33 milionë euro nga fondet e Instrumentit të Paraaderimit 2010/2011. Ndërkohë, Qeveria shqiptare do të financojë të gjitha përjashtimet nga taksat për këtë projekt. Gjithashtu, një grant prej 4 milionë eurosh do të sigurohet nga Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim mbështetjen e projektit. Gjatë diskutimeve, deputetët ngritën disa shqetësime që kanë të bëjnë me kategorizimin e rrugëve dhe ndërtimin ose restaurimin e urave lidhëse. Ata nënvizuan se në praktikën e investimeve në rrugë, është konstatuar copëzimi i investimeve, duke ulur vlerën e tyre, ndërsa në rrugët rurale pavarësisht ekzistencës apo nevojës për ura lidhëse, është konstatuar në disa raste se investimet nuk janë zbatuar me efektivitet. Përfaqësuesi i FSHZH-së, shpjegoi se tashmë është gati studimi i fizibilitetit që parashikon edhe inventarizimin e rrugëve dhe janë identifikuar disa rrugë të cilat, në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve, do të kategorizohen nga rrugë nacionale në rrugë sekondare, për shkak të ndryshimit të funksionit të tyre. Deputetët duke vlerësuar projektligjin si një hap të rëndësishëm për zhvillimin dhe përmirësimin infrastrukturor të rrjetit rrugor në përgjithësi dhe për zhvillimin e zonave rurale, ranë dakord për miratimin e tij në seancë plenare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›