E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve miraton në parim draftin për “Konferencën Gjyqësore”

18-07-2012 / Gazeta 55

Halimi: Pjesë e rëndësishme e reformës në sistemin e drejtësisë

Komisioni i ligjeve ka miratuar në parim projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e konferencës gjyqësore kombëtare”. Ligji është miratuar me konsensus nga të dyja palët.
Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka theksuar se projektligji është me rëndësi për reformën në drejtësi dhe parashikon mënyrën se si do të funksionojë Konferenca gjyqësore. Sipas Halimit, në projektligj nuk përfshihet më përfaqësimi me delegim i gjyqtarëve.
Ndërsa, përfaqësuesit e opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve, sikurse një ditë më parë, edhe sot tentuan zvarritjen e shqyrtimit dhe miratimit të këtij projektligji, pjesë e rëndësishme e reformës në sistemin e drejtësisë dhe një ndër kushtet opër marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ka qenë nënkryetari i komisionit, socialisti Fatmir Xhafaj, i cili edhe pse vlerësoi pozitivisht draftin e propozuar nga qeveria, kërkoi shtyrjen, me justifikimin se për të pasur një ligj të mirë, nevojitet koha e nevojshme për diskutimin e tij.
Por, kërkesa e opozitës është vlerësuar si e panevojshme nga kryekomisioneri Ilir Rusmali. Ai i kërkoi opozitës që të listojë se cilët përfaqësues të drejtësisë kërkon të dëgjojë e më pas të vijohet me shqyrtimin nen për nen të draftit ligjor.
Ndërkohë drafti i hartuar nga ministria e drejtësisë sjell risi në mënyrë të veçantë në zgjedhjen e anëtarëve të KLD dhe në raportet e Konferencës me Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Në dhjetor të vitit 2008, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e mëparshëm për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Kushtetuesja vendosi bazuar në padinë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, sipas të cilëve Kuvendi gjatë miratimit të ligjit ka shkelur Kushtetutën në disa nene të saj.
Argumenti kryesor ishte se Konferenca Gjyqësore Kombëtare është një institucion i parashikuar në Kushtetutë dhe, për rrjedhojë, miratimi i ligjit të saj duhet të ishte bërë me një shumicë të cilësuar votash në Kuvend.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›