E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Edhe bar do hamë dhe imunitetin s’e dorëzojmë

18-07-2012 / Gazeta 55

Edi Rama kundër apelit të trojkës, s’jep konsensusin për imunitetin Në momente historike për shqiptarët, komunistët shfaqen me qëndrimet e tyre antiperëndimore. Politika “as nuk hapemi e as nuk mbyllemi” e Ramiz Alisë, diktatorit të fundit të komunizmit, është rimarrë nga Edi Rama, me vendosmërinë për të bllokuar afrimin e vendit me BE-në. Dje ai shqiptoi qëndrimin “edhe bar do hamë dhe imunitetin s’e dorëzojmë”, por ka harruar se barrikadën s’po ua ngre vetëm shqiptarëve, por edhe faktorit ndërkombëtar


Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zgjedhur vetë të “investohet” dje për qëndrimin e tij, jo vetëm anti-reformave të integrimit, por edhe kundër trojkës së ambasadorëve. Pasi një ditë më parë, për këtë argument ishte “konsumuar” Gramoz Ruçi, dje Edi Rama vetë, ka refuzuar të dëgjojë apelin e trojkës së ambasadorëve, për të votuar në seancën plenare të 6 gushtit heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryesocialisti e justifikoi qëndrimin e tij, duke u shprehur se për ndryshimet kushtetuese, nevojitet një proces i gjerë konsultimesh. Nën pretekstin e moslejimit që çështja e kufizimit të imunitetit të kthehet në kufizim lirie, Edi Rama në mënyrë ultimative deklaroi qëndrimin e opozitës, sipas të cilit nuk mund të miratojë asnjë “arnim të nxituar të Kushtetutës”. Sjellja e djeshme e Edi Ramës, nuk është e vetmja kundër integrimit. Në mënyrë të përsëritur, Edi Rama në momente historike për shqiptarët, gjen rastin të rikthejë komunistët me shfaqjet dhe dogmat e tyre antiperëndimore. Këtë risjellje ka vetinë ta bëjë Edi Rama. Politika “as nuk hapemi e as nuk mbyllemi” e Ramiz Alisë, diktatorit të fundit të komunizmit, është rimarrë së fundmi nga Edi Rama, me vendosmërinë për të bllokuar afrimin e vendit me BE-në. Dje ai shkoi edhe më tej, kur shqiptoi qëndrimin “edhe bar do hamë dhe imunitetin s’e dorëzojmë”... Por ka harruar se barrikadën s’po ua ngre vetëm shqiptarëve, por edhe faktorit ndërkombëtar. Çështja e imuniteteve, e rikthyer prej disa kohësh në qendër të debatit politik në Shqipëri, shihet si sfida e radhës e Kuvendit në këtë fund-sesioni parlamentar. Pas arritjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore axhenda e Kuvendit është fokusuar në gjetjen e konsensusit edhe për heqjen e imuniteteve, që shihet si një hap para në marrjen e statusit të kandidatit nga Shqipëria. Nisma ligjore e propozuar nga mazhoranca “për heqjen e imunitetit”, që mbështetet në variantin e ofruar nga ekspertë të Këshillit të Europës, i zhvesh të gjithë zyrtarët, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët nga imuniteti, ndërsa parlamenti mund të revokojë këtë mase vetëm nëse “cenohet ndjeshëm” funksionimi i tij. Pas paraqitjes zyrtarisht në Kuvend të kësaj nisme, në fillim të këtij muaji, ajo i është nënshtruar procedurave parlamentare, sikurse parashikohet në rregullore. Në mënyrë të përsëritur, Kryeministri Berisha ka ftuar opozitën të japë votën për heqjen e imunitetit. Ndërsa jo më larg se dy ditë më parë, për çështjen e imuniteteve trojka e ambasadorëve pati një takim të gjatë me kryetarin socialist dhe ftoi palët të shkojnë drejt një zgjidhjeje. Të njëjtin qëllim pati edhe takimi sërish dje e kreut të misionit të BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, me kreun e PS-së Edi Rama. Të hënën e ardhshme, Këshilli i Legjislacionit në Kuvend, i përbërë nga 10 deputetët juristë të PD-së e PS-së, nis procedurat për heqjen e imunitetit. Më pas 3 amendimet do t’i kalojnë për vlerësim konstitucionalistëve e në 6 gusht do kalojnë për votim ne seancë. Përpos debateve politike, parlamenti ka vendosur që seanca për votimin e imuniteteve të mbahet me 6 gusht. Socialistët kanë propozuar shtyrjen për në sesionin e ri, por dje kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli tha se nuk ka kohë për të humbur me justifikime. Numri një i PS-së, është ndalur dje edhe në konsensusin për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Në deklaratën e djeshme për mediat, ai e vlerësoi konsensusin për reformën zgjedhore, duke deklaruar se “zgjedhjet nuk i fiton kodi zgjedhor, por ato fitohen në fushën e betejës elektorale”. Ai tha se, PS që në fillim është shprehur për rishikim të sistemit në kodin zgjedhor, por pa e kushtëzuar me procesin e rishikimit të kodit zgjedhor. Sipas tij, qëllimi i vërtetë i opozitës për ndryshimet në ligjin zgjedhor, ishte riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe largimin e Arben Ristanit si kryetar. Rama i bëri thirrje aleatëve të tij, që të vijojnë bashkëpunimin politik, pavarësisht mungesës së korrektimit kombëtar të sistemit zgjedhor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›