E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ligjeve, sot beteja e parë për draftin e opozitës

Në orën 10.00, ndryshimi i ligjit mbi komisionet Në seancë pritet të çohen me dy variante

A ka ndërmend mazhoranca të kalojë draftin e PS-së për komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, siç është angazhuar Kryeministri Berisha? Do ta miratojë siç është apo do ta ndryshojë, duke futur amortizim të saj? Gjithçka do të shikohet që sot në mëngjes në orën 10.00, pikërisht në godinën e Kuvendit të Shqipërisë. Në një sallë në katin e dytë të selisë së legjislativit shqiptare mblidhet Komisioni Parlamentar i Ligjeve, i cili do të marrë në shqyrtim projektligjin e paraqitur nga grupi i Partisë Socialiste për ndryshimin e ligjit aktual mbi komisionet hetimore. Drafti titullohet “Projektligji disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.05.2002, për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit. Në këtë projektligj propozohet që në rastet kur kërkohet të hetohen problematika të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, apo të zgjedhjeve të qeverisjes vendore, shumica e anëtarëve të komisionit duhet t’i përkasë partisë më të madhe opozitare. Komisioni mund të vendosë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar, sipas rastit, një ose disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një ose disa kutive të fletëve të votimit, duke urdhëruar rinumërimin e tyre. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali, deklaroi në mbledhjen e së enjtes së kaluar të Kuvendit, që diskutimi për draftin e sjellë nga opozita do të fillojë që të hënën paradite, kur sipas rregullores është dhe mbledhja e parë kalendarike e komisionit. Sot paradite pritet që në takim të paraqiten edhe deputetët e Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, ku sipas të gjitha gjasave do të zhvillohet një përplasje e ashpër jo vetëm procedurale, pasi mazhoranca pikërisht me argumente ligjore synon të rrëzojë ato pjesë të draftit që flasin për hapje të kutive. Në Komisionin e Ligjeve, mazhoranca ka disa nga deputetët më të rëndësishëm të saj, ku tre janë ish-ministra Drejtësie si: Ilir Rusmali, Enkelejd Alibeaj dhe i sapofuturi Aldo Bumçi, por dhe një tjetër ish-ministre tjetër, përkatësisht Arenca Trashani, e cila është dhe pedagoge e së drejtës. Në mbështetje të këtij establishmenti janë edhe dy ish-zv/ministrat e Drejtësisë: Viktor Gumi dhe Eduard Halimi. Ndërkaq, edhe opozita ka në këtë komision “ajkën” e pasurisë së saj shtetformuese, duke nisur nga dy ish-kryeministra, përkatësisht: Pandeli Majko dhe Bashkim Fino, por edhe ekspertët e njohur të ligjeve: Fatmir Xhafa dhe Vasilika Hysi. Mbledhja e sotme sipas të gjitha gjasave mund të dalë me dy variante për të dërguar në seancën e 18 marsit, njëri ai i miratuar vetëm me votat e mazhorancës që pritet të ndryshojë thelbin dhe tjetri varianti origjinal i dorëzuar në sekretarin e Kuvendit nga grupi parlamentar socialist.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›